Pavarësisht reshjeve të shiut në kryeqytet, protestuesit janë mbledhur edhe këtë mbrëmje para Kryeministrisë në ditën e 25-të të mobilizimit kundër qeverisë, duke përsëritur kërkesat e tyre dhe duke paralajmëruar përshkallëzim të aksioneve nëse nuk ka reagim nga institucionet.
Gjatë protestës, një prej pjesëmarrësve deklaroi se qytetarët nuk janë më të gatshëm të tolerojnë, sipas tij, zyrtarët e korruptuar dhe paralajmëroi se lëvizja mund të kalojë në forma më të forta reagimi.
“Shqiptarët nuk do të tolerojnë më këta të korruptuar që nuk largohen nga institucionet. Përshkallëzimi do të shkojë deri në bllokimin e institucioneve nëse zyrtarët e korruptuar vazhdojnë t’i mbajnë ato me forcë”, u shpreh ai.
Protestuesit kanë ritheksuar edhe një herë kërkesat që i konsiderojnë të panegociueshme, duke vendosur në qendër dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike tranzitore.
Mes kërkesave të paraqitura në protestë janë:
- Dorëheqja e menjëhershme e kryeministrit Edi Rama;
- Krijimi i një qeverie teknike me mandat 12-mujor;
- Ndryshime kushtetuese dhe reformim i Kodit Zgjedhor;
- Rregulla të reja për financimin e partive politike;
- Kufizimi i mandatit të kryeministrit në maksimum dy mandate;
- Rishikimi ose anulimi i disa ligjeve që protestuesit i konsiderojnë të dëmshme për interesin publik;
- Hartimi i një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe institucioneve.
Pjesëmarrësit deklaruan se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa organizatorët kanë bërë thirrje për zgjerimin e mobilizimit qytetar në të gjithë vendin.
Tubimi u zhvillua nën masa sigurie dhe pa incidente, ndërsa moti i paqëndrueshëm nuk ndikoi në vijimin e protestës.
