Kadastra e Vlorës mbyllet përfundimisht, punonjësit që protestuan transferohen në Tiranë e Fier

Data

Zyrat e Kadastrës në Vlorë janë mbyllur përfundimisht mëngjesin e sotëm, duke i dhënë fund funksionimit të një prej institucioneve më të rëndësishme për qytetin. Vendimi vjen pas urdhrit për transferimin total të strukturës drejt Tiranës, një lëvizje që ka shkaktuar kundërshti të forta nga punonjësit dhe reagime nga qytetarët.

Pavarësisht protestave dhe peticioneve kundër këtij vendimi, zhvendosja ka hyrë në fuqi. Një pjesë e stafit është transferuar sot në Tiranë, ndërsa një pjesë tjetër në Fier. Sipas burimeve, punonjësit që nuk kanë pranuar asnjërën prej këtyre alternativave do të largohen nga puna.

Në ambientet e Kadastrës ndodhen ende disa punonjës, të cilët po përgatisin dosjet e fundit për transferim, duke shënuar kështu mbylljen përfundimtare të institucionit në Vlorë.

Kryeministri Edi Rama komentoi një ditë më parë situatën, duke deklaruar se shërbimi i Kadastrës ka qenë prej kohësh “primitiv” dhe se tashmë shumica e shërbimeve ofrohen online përmes platformës e-Albania. Ai shtoi se zhvendosja e Kadastrës së Vlorës nuk është një rast i izoluar.

Vendimi për transferimin është firmosur më 23 janar nga drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobelli, duke i lënë stafit afat shpërnguljen deri në fund të muajit janar.

Protestave iu bashkua edhe nëndrejtori i institucionit, Sokol Shehaj, i cili firmosi një peticion për rrëzimin e vendimit. Megjithatë, peticioni nuk u mor parasysh dhe Shehaj u shkarkua nga detyra.

Nga ana e saj, Agjencia Shtetërore e Kadastrës sqaroi se procesi i riorganizimit dhe centralizimit të strukturave ka nisur që në vitin 2021, fillimisht me Durrësin dhe Krujën, për të vijuar më pas me Shkodrën, Kavajën, Kamzën-Vorën dhe së fundmi Vlorën.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related