Seanca në ngarkim të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu për çështjen “Gërdeci” është shtyrë sërish sot. Gjykata e Posaçme ka vendosur që seanca e radhës të mbahet më 27 dhjetor në orën 12:00.
Shkak për shtyrjen e seancës, ishte vendimi i gjykatës për t’i lënë kohë avokatëve mbrojtjës të përgatisin pyetjet për ekspertët ushtarakë që kanë përcaktuar edhe shkakun e shpërthimit në Gërdec.
“Fakti për debatin e sotëm, dy nga ekspertët s’ishin prezent dhe do kishim dy procese paralele. Për të pasur një proces sa më korrekt u la të përcillin pyetjet me shkrim, edhe pse kërkuam debat të drejtpërdrejtë, por u gjykua që në këto rrethana të bëhej me shkrim”, u shpreh Mediu jashtë SPAK.
Ish-ministri Fatmir Mediu po përballet tashmë prej vitesh në GJKKO me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, për ngjarjen e ndodhur në 15 mars 2008 në fshatin Gërdec, ku pas një shpërthimi në fabrikën e demontimit të armëve, humbën jetën 26 persona.
