Komisioni Evropian publikoi një raport vjetor për progresin e Serbisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe sipas rezultateve, është e qartë se nuk ka ndonjë përparim thelbësor. Në fushat kyçe, përkatësisht sundimi i ligjit dhe gjyqësori, është arritur vetëm “progres i kufizuar”, ndërsa nuk ka pasur përparim në lidhje me lirinë e fjalës. Nga ana tjetër, javën e kaluar Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha me zë të lartë në mes të Beogradit se Serbia është një nga më të avancuarat në reformat dhe pikërisht në aspektin e demokracisë. Deri në mbylljen e këtij numri, Raporti i ri i Komisionit Evropian për Serbinë nuk ishte prezantuar zyrtarisht për publikun, por një pjesë e tij arriti deri në media. Dhe siç vë re media serbe “Nova.rs”, ajo që shkruhet në të nuk përputhet me fjalët e Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të cilat ajo i artikuloi disa ditë më parë në Beograd.
Lavdërimi i Von der Leyen
“Ju keni treguar se veprimet ndjekin fjalët tuaja”, tha Von der Leyen duke e uruar Vuçiçin. Mirëpo, raporti i komisionit që ajo drejton tregon diçka krejt tjetër. Në fushën kyçe të sundimit të ligjit brenda Kapitullit 23, vitin e kaluar u arrit “progres i kufizuar”, vlerëson Komisioni Evropian. Në fushën e drejtësisë, Komisioni Evropian vlerësoi gjithashtu “progres të kufizuar”. Thuhet se është arritur “progres i caktuar” në fushën e luftës kundër korrupsionit, me miratimin e strategjisë kundër korrupsionit për periudhën 2024-2028. Kur bëhet fjalë për lirinë e shprehjes dhe median, progresi vlerësohet me shkronjat dhe numrat zero (0).
Vërejtjet e KE
Strahinja Subotiçin nga Qendra për Politika Evropiane ka thënë për “Nova.rs” se Serbia, të paktën sipas asaj që dihet për raportin, është në vend. “Në media u publikuan pjesë të raportit të Komisionit Evropian për Serbinë dhe në bazë të tij mund të konkludojmë menjëherë se nuk ka progres të mjaftueshëm, se duhet të ecim pak më shpejt në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në BE. Kjo i referohet kryesisht kapitujve 23 dhe 24, të cilët kanë të bëjnë me sundimin e ligjit. Prandaj, nëse është kështu, mund të konkludojmë se Serbia është në vend. Megjithatë, duhet të presim raportin zyrtar për të parë se si është situata me kapitujt e tjerë”, tha Subotiç. “Në plan të parë të raportit thuhet se nuk kemi përparuar as në kontekstin e dialogut me Prishtinën”, tha ajo. Nga Beogradi dhe Prishtina kërkohet që të zbatojnë plotësisht Marrëveshjen për Rrugën e Normalizimit dhe Marrëveshjen e Ohrit.
“Polici i mirë”
Nga njëra anë, një raport relativisht i keq, dhe nga ana tjetër, lavdërimi nga Ursula von der Leyen tregon tjetër perspektivë. Duke komentuar këtë situatë, Subotiqi thotë se është si kur në filmat detektivë ka policë të mirë dhe të këqij. “Pra, këtu Von der Leyen është në rolin e një polici të mirë, ndërsa policët e këqij janë vendet anëtare të BE-së. Ursula von der Leyen është e vetëdijshme se Ballkani Perëndimor ka ngecur në BE për një kohë të gjatë dhe se qytetarët kanë nevojë për një mesazh pozitiv për të ndikuar në rritjen e mbështetjes për anëtarësim. Logjika e saj është se, nëse ajo dërgon mesazhe negative gjatë turneut në Ballkan, çfarë tjetër mund të presim nga anëtarët? Ata janë edhe më kritikë ndaj vendeve kandidate sesa Von der Leyen”, tha Strahinja Subotic .
