Në botë ka vetëm tre shtete që klasifikohen zyrtarisht si teokratike, përfshirë Iranin, Vatikanin dhe Republikën Islamike të Afganistanit, e drejtuar nga Talebanët.
Nëpërmjet një fjalimi në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara si pjesë e Samitit për të Ardhmen më 22 shtator, kryeministri Edi Rama propozoi krijimin e një shteti të katërt me seli në Tiranë për Urdhrin Botëror Bektashi.
Pasi përshkroi një botë në kaos, me kriza të mbivendosura nga Lindja në Perëndim dhe Veriu në Jug, duke cituar Nënë Terezën, kryeministri shqiptar deklaroi me pompozitet se ajo na ka kujtuar se “jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe.”
“Ky është parimi të cilit i qëndron Shqipëria dhe kjo është ajo me të cilën përpiqemi të veprojmë, dhe ky është burimi i frymëzimit tonë, për të mbështetur transformimin e qendrës së Urdhrit Botëror Bektashi në një shtet sovran brenda kryeqytetit tonë, Tiranës, si një qendër e re e moderimit, tolerancës dhe bashkëjetesës së paqtë,” tha ai.
Kryegjyshi bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, e përkrahu idenë e artikuluar më parë në një artikull në gazetën amerikane ‘New York Times’, por propozimi ndryshe ka marrë një pritje të ftohtë në Tiranë nga komunitetet e tjera fetare dhe pjesa laike e shoqërisë.
