Grupi i shtatë vendeve më të zhvilluara të botës ripohoi mbështetjen e tij për Ukrainën, duke ofruar ndihmë për nevojat urgjente të financimit afatshkurtër dhe ato të rindërtimit afatgjatë. Gjermania do të organizojë një konferencë për rimëkëmbjen ekonomike të Ukrainës në Berlin këtë vit, ndërsa Italia do të jetë mikëpritëse e një konference të ngjashme në 2025.
Të enjten, Sekretari i Shtetit Antony Blinken i tha ministrit të jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba në një takim dypalësh në Kapri të Italisë, ku po mbahet takimi i ministrave të jashtëm të G7-ës, se Shtetet e Bashkuara janë të angazhuar për të ndihmuar Kievin që të mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial nga agresioni i Rusisë, duke përfshirë sulmet e fundit ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës.
Sulmet e fundit ndaj termocentralit bërthamor në Zaporizhia të Ukrainës kanë rritur shqetësimet për mundësinë e një aksidenti të madh bërthamor. Sekretari Blinken nënvizoi gjithashtu nevojën për një veprim urgjent nga Kongresi amerikan për të miratuar ndihmat për Ukrainën. Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga republikanët pritet të hedhë për votim projektligjin mbi ndihmën për Ukrainën, Izraelin dhe Indo-Paqësorin që të shtunën
