Vala e protestave të diasporës shqiptare është shtrirë edhe në Bruksel, ku dhjetëra shqiptarë janë mbledhur përpara institucioneve europiane për të shprehur kundërshtinë ndaj politikave të qeverisë shqiptare dhe për t’u solidarizuar me protestat që po zhvillohen në Tiranë.
Të mbështjellë me flamuj kombëtarë dhe të veshur me simbole tradicionale shqiptare, pjesëmarrësit u mblodhën pranë godinës së Komisionit Europian, duke artikuluar kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe duke shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me zhvillimet e fundit politike dhe projektet e kundërshtuara në vend.
Gjatë tubimit janë dëgjuar thirrje kundër qeverisë, ndërsa disa protestues kanë kërkuar edhe përgjegjësi ligjore për drejtuesit e ekzekutivit.
Protesta në Bruksel i bashkohet një serie manifestimesh të organizuara nga diaspora shqiptare në vende të ndryshme të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Gjermaninë, Italinë, Zvicrën dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Organizatorët kanë deklaruar se synimi i tyre është të tërheqin vëmendjen e institucioneve europiane dhe opinionit ndërkombëtar mbi shqetësimet që, sipas tyre, po ngrenë qytetarët shqiptarë brenda dhe jashtë vendit.
