Shqipëria renditet ndër vendet me çmimin më të lartë të naftës në botë, duke zënë vendin e parë në Rajon, të pestin në Europë dhe të shtatin globalisht. Aktualisht, një litër naftë në pikat e karburanteve në vend shitet mesatarisht rreth 170 lekë, ose 2.09 dollarë me kursin aktual të këmbimit.
Në Ballkanin Perëndimor, pas Shqipërisë renditet Serbia, ku një litër naftë kushton rreth 1.92 dollarë. Krahasuar me Bosnje-Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut apo Kosovën, çmimi i karburantit në Shqipëri rezulton gati dyfish më i lartë.
“Ka shumë diferencë me vendet fqinje. Jemi shumë më të shtrenjtë”, shprehen drejtues automjetesh.
Në rang europian, çmime më të larta se Shqipëria kanë vetëm Zvicra, Lihtenshtejni, Danimarka dhe Islanda. Kjo e rendit Shqipërinë përpara shteteve si Irlanda apo Monako, të njohura për nivel të lartë jetese dhe të ardhura më të mëdha.
Në shkallë globale, Hong Kongu mban rekordin për çmimin më të lartë të naftës, ku një litër kushton mbi 3.56 dollarë.
“Janë çmime shumë të larta për rrogat që marrim. Nuk është e përballueshme”, shprehen qytetarë të tjerë.
Çmimi final i naftës përbëhet nga vlera e blerjes së lëndës djegëse në bursat ndërkombëtare dhe nga taksat e tarifat e aplikuara nga qeveria. Sipas të dhënave të fundit, çmimi i naftës së papërpunuar në bursë ka rënë në rreth 689 dollarë për ton, nga 750 dollarë që ishte një muaj më parë. Po ashtu, dollari ka vijuar zhvlerësimin, faktorë që teorikisht duhet të reflektonin ulje të çmimeve në tregun vendas.
“I bëjmë thirrje qeverisë të marrë masa, të rihapen rafineritë dhe të ulet çmimi i karburanteve”, shprehen drejtues automjetesh.
Ndërkohë, Shqipëria ka shënuar rekord importi të karburanteve. Të dhënat zyrtare tregojnë se në periudhën janar–nëntor të vitit të kaluar janë importuar mbi 671 mijë tonë karburant, shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë.
