Shqipëria është kthyer në destinacionin kryesor të investimeve për bizneset nga Kosova, duke shënuar shifra rekord që kanë surprizuar tregun dhe analistët financiarë.
Gjatë tremujorit të tretë të vitit, investimet direkte nga Kosova arritën në 90 milionë euro, një rritje gati katërfish krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për gjithë 9-mujorin, investimet kosovare kapën vlerën 153 milionë euro, me një rritje vjetore prej 139%.
Kjo rritje lidhet kryesisht me blerje strategjike të ndërmarrjeve shqiptare nga kompani të mëdha kosovare, duke forcuar ndjeshëm praninë e kapitalit nga Kosova në tregun shqiptar.
Një nga transaksionet më të mëdha u realizua në muajin korrik, kur kompania kosovare Viva Fresh bleu zinxhirin e dytë më të madh të shitjeve me pakicë në Shqipëri, Spar Albania, për një vlerë prej 36.4 milionë eurosh. Viva Fresh zotëron rrjetin më të madh të marketeve në Kosovë dhe operon gjithashtu në Maqedoninë e Veriut.
Në fillim të shtatorit, kompania ALBI Holding, me kapital nga Kosova, finalizoi blerjen e Fashion Group Albania, një nga operatorët kryesorë të tregut të modës, për rreth 7.6 milionë euro. Kjo kompani është pjesë e një grupi që operon me marka ndërkombëtare në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.
Një tjetër lëvizje e rëndësishme u shënua në tremujorin e fundit të vitit, kur shoqëria KAN shpk bleu Global Fast Food Albania, duke marrë kontrollin e markës KFC edhe në tregun shqiptar. KAN zotëron prej vitesh të drejtat e KFC-së për Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.
Në fund të 9-mujorit 2025, stoku total i investimeve nga Kosova në Shqipëri arriti në 550 milionë euro, me një rritje vjetore prej 42%, duke e pozicionuar Kosovën si investitorin kryesor të huaj për vitin 2025.
Italia renditet e dyta, me investime prej 137 milionë eurosh për 9-mujorin, megjithëse me një rënie të lehtë krahasuar me vitin e kaluar. Hollanda zë vendin e tretë për flukset e reja, ndërsa Turqia mbetet një investitor i rëndësishëm, por me rënie të ndjeshme të investimeve të reja këtë vit.
Ekspertët vlerësojnë se rritja e kapitalit kosovar në Shqipëri pasqyron integrimin ekonomik mes dy vendeve, besimin e biznesit dhe zhvendosjen e qendrave të vendimmarrjes drejt tregjeve më të mëdha rajonale.
