Merr tjetër kthesë dosja ‘”Xibraka”. Fillimisht ka qenë analisti Artur Zheji, i cili në një studio televizive, është shprehur se Bardhi nuk po mashtron lidhur me akuzat që ka bërë ndaj vëllait te kryeministrit Olsi Ramës për çështjen e Xibrakës, por po luan blofin me letra të hapura dhe nëse nuk del gjë, do akuzojë SPAK-un se nuk ka nxjerrë asnjë gjë pasi mbrapa qëndron Rama. Madje ai ka hedhur dhe hipotezën se dosjen që ka Bardhi mund ta ketë siguruar nga pala e PS-së. “Bardhi nuk po mashtron, ai po e luan blofin me letra të hapura. Po të thotë kam dosjen, ç’pluhurose dosjen që është në prokurori. Nesër kur nga ajo të mos dalë gjë, të thotë SPAK-u ishte SKAP, nuk e nxori se ishte Rama mbrapa. Ai bën aksion politik, bën volum. Nuk po shpif, po merr një dosje të ricikluar dhe po ta nxjerr ty si të re. Për mua në qoftë se në atë dosje ka gjëra, drejtësia të veprojë, unë të dekriptoj lojën e pasqyrave që politikanët bëjnë në këtë rast, për demokratët. Unë mendoj që Gazi nuk e ka të vetëm këtë gjë, e ka nga lufta brenda PS-së. Kam përshtypjen që duhet të krijohet një diversion shumë i madh sepse po ndodhin ndërkohë shumë gjëra të tjera më të mëdha dhe nuk duan të kenë vëmendjen e rendit të parë nga ana e opinionit publik”, ka thënë ai.
Deklarata e Bardhit
Ndërkohë Gazment Bardhi ka thelluar akuzat e tij ndaj vëllait të kryeministrit Rama. Nga foltorja e Kuvendit ditën e djeshme, ai ka thënë se një person i paidentifikuar në dosjen e Xibrakës, brun dhe 45 vjeç, është vet Olsi Rama. Gjithashtu ai i bëri thirrje SPAK që të hetojë çështjen teksa ka treguar që ka depozituar edhe kallëzimin dhe akuzoi ministrin e Brendshëm Taulant Balla, se po kryen veprën penale të moskallëzimit të krimit. “Olsi Rama ishte 45 vjeç atëherë, i datëlindjes 1969. Dosja për laboratorin e Xibrakës fle prej disa vitesh në Prokurori. Makina është me targa AA653DM. E thotë TIMS-i që makinën me këtë targë e ka përdorur Olsi Rama. Provohet ekzaktësisht se Olsi Rama gjatë kohës që ngrihej laboratori i Xibrakës ka përdorur këtë automjet. Do të doja të vinte këtu dhe të thoshte ke bërë hamendësim. Të njëjtin automjet në këtë periudhë e kanë përdorur 3 anëtarë të tjerë të organizatës kriminale. Këtë e thonë dokumentet shtetërore për Ermal Hoxhën, Gentjan Gjonajn dhe Genci Xhixhën. Janë të dhënat e TIMS. Nuk e thotë Gazment Bardhi. Pse nuk thuhet kush është personi i paidentifikuar i moshës 45 vjeç? Pse forcat operacionale nuk kanë publikuar foton? Gjej rastin nga kjo foltore t’i bëj thirrje SPAK-ut, kreut të SPAK, zotit Dumani që të hetojë deri në fund këtë çështje dhe të vendosë para drejtësisë çdo anëtar të kësaj organizate kriminale që në vitin 2014 në mes të një vendi anëtar të NATO-s guxoi të ngrejë laborator kokaine”, tha Bardhi.
Ministri Balla i përgjigjet akuzave
Nga ana tjetër, ministri i Brendshëm Taulant Balla ka reaguar pak deklaratës së Bardhit, duke hedhur poshtë të gjitha akuzat se 45-vjeçari brun i përmendur në dosjen e Xibrakës është Olsi Rama. Madje Balla tha se identitetin e këtij personi, e di mjaft mirë Sali Berisha dhe me ironi i tha Bardhit që ta pyesë poshtë ballkonit. Ministri po ashtu theksoi se 45-vjeçari brun është i lidhur me një prej deputetëve të Partisë Demokratike. “Më vjen mirë që keni hapur arkivat e vjetra të baltës së SHQUP për t’iu shmangur debateve të brendshme edhe brenda vetë grupit tuaj parlamentar. Rikthimi në diskursin politik të parafolësit apo ndonjë folësi tjetër të foltores për një çështje që e kemi stër debatuar me njëri tjetrin që nga janari 2015. Më 13 janar 2015 Policia e shtetit në bashkëveprim me Prokurorinë organizoi një operacion në Xibrakë, ku sipas asaj që është bërë publike është zbuluar laborator kokaine. Atë ditë pasdite, në PD në godinën e rë të SHQUP, njëri prej folësve të PD u thirr me urgjencë, me urdhër të pronarit, jo të drejtorit të SHQIP, dhe deklaronte se fabrika e Xibrakës ishte e taulant ballës. Deputeti i PD i shkruan Berishës, pronari të SHQUP-it, i thotë që Balla është në Librazhd. S’ka problem i thotë doktori, duhet të dalë urgjentisht duhet ta fajësojmë një nga PS. Ky diskutim vijon për disa minuta dhe del PD dhe akuzon Ramën, Ballën, Olsi Ramën dhe kush doli para. Jo ju që keni mbetur këtu, ata që kanë qenë këtu e dinë kush është ai bruni flokë shkurtër 45 vjeç. E di fare mirë ti. Shko pyet Saliun, shko sot poshtë ballkonit, dhe thuaj Sali kush është ai. E di Saliu, e ka thënë këtu në sallë kush është. Është i lidhur me një deputet të partisë tënde. Nëse ju keni besim, pse nuk keni durim ta hetojë edhe këtë çështje SPAK. Kreu i grupit të PD është detyrë shumë e rëndësishme. Shko bëj kallëzim, mos bëj njoftim. Bëje kallëzim. Për kallëzim të rremë shkon në kokërr të burgut, shko bëj kallëzim. Sot në orën 6 shko thuaj Saliut se kush është ai 45-vjeçari, ta thotë ai, ta thonë edhe shokët e rreshtit të fundit”, deklaroi ministri i Brendshëm, Taulant Balla.
