Deputetja e Partia Demokratike, Jorida Tabaku, ka kërkuar më shumë transparencë dhe vullnet politik në procesin e integrimit europian të Shqipërisë, duke theksuar se vendi ndodhet në një moment vendimtar për të ardhmen e tij.
Në një intervistë televizive, Tabaku u shpreh se rezoluta e përbashkët e miratuar në Kuvend për integrimin është një hap pozitiv, por sipas saj, Bashkimi Europian pret rezultate konkrete dhe jo vetëm dakordësi politike në letër.
“Procesi i integrimit është i bazuar në meritë dhe vlejnë rezultatet. Kur mungojnë rezultatet, sigurisht që edhe procesi nuk do të ecë”, deklaroi ajo.
Tabaku, e cila prej vitesh është angazhuar në çështjet e integrimit dhe negociatave me BE-në, tha se opozita ka qenë konstruktive në shumë iniciativa të rëndësishme parlamentare.
Sipas saj, ka pasur dakordësi mes palëve politike për çështje që lidhen me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, mbrojtjen e gazetarëve dhe ligje që lidhen me investimet e huaja dhe partneritetin publik-privat.
Megjithatë, deputetja demokrate theksoi se problemi kryesor mbetet mungesa e akteve konkrete dhe zbatimit të angazhimeve.
“Rezoluta është një fjalë që tregon angazhim për të ardhmen, por Brukseli ka nevojë për më shumë sesa dakordësi politike. Ka nevojë për akte të përditshme”, u shpreh Tabaku.
Ajo shtoi se opozita prej muajsh kërkon më shumë transparencë për ligjet që miratohen me procedura të përshpejtuara dhe që sipas saj bien ndesh me standardet europiane.
“Ligje që janë kundër Bashkimit Europian dhe që janë kthyer në pengesë për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese janë reflektuar edhe në këtë rezolutë”, tha ajo.
Tabaku paralajmëroi se Shqipëria ndodhet në një “udhëkryq”, ku duhet të zgjedhë mes forcimit të shtetit të së drejtës ose kthimit pas në debate që duhej të ishin mbyllur prej vitesh.
“Shqipëria ka humbur shumë momente gjatë 10 viteve të fundit. Ne pritëm për hapjen e negociatave dhe më pas procesi i screening-ut dhe negociatave nuk ishte transparent. Sot ndodhemi në një moment ku duhet të vendosim nëse do të ecim drejt shtetit të së drejtës apo do të kthehemi pas”, deklaroi ajo.
Sipas deputetes demokrate, elementi më i rëndësishëm për avancimin e integrimit mbetet vullneti politik.
“Rezoluta flet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për zbatimin e reformës në drejtësi dhe të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Asgjë nuk e zëvendëson vullnetin politik”, përfundoi Tabaku.
