Koreja e Veriut ka reaguar ashpër ndaj akuzave të Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke mohuar se përbën një kërcënim në hapësirën kibernetike.
Përmes një deklarate zyrtare, Ministria e Punëve të Jashtme e Phenianit i cilësoi pretendimet amerikane si “trillime” dhe pjesë e një strategjie për të justifikuar, sipas saj, politikat armiqësore ndaj vendit.
Një zëdhënës i ministrisë theksoi se Uashingtoni po përhap informacion të rremë për një “kërcënim kibernetik inekzistent”, duke e konsideruar këtë si një shpifje që synon të dëmtojë imazhin ndërkombëtar të Koresë së Veriut.
Në reagim, Pheniani paralajmëroi se do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur interesat shtetërore dhe të drejtat e qytetarëve të tij në hapësirën digjitale.
Këto zhvillime vijnë në një klimë të tensionuar marrëdhëniesh mes dy vendeve, ku akuzat për sulme kibernetike kanë qenë shpesh pjesë e përplasjes politike dhe diplomatike.
