“9 orë bisedime mes Trump dhe Xi Jinping”, gazetari nga Kina zbulon detaje nga vizita: Synohet ulja e tensioneve mes dy fuqive

Data

Vizita e presidentit amerikan Donald Trump në Kinë po konsiderohet si një nga zhvillimet më të rëndësishme diplomatike të momentit mes dy superfuqive botërore.

Një gazetar nga Kina, në një lidhje online për mediat, ka zbuluar detaje nga takimet mes Trump dhe presidentit kinez Xi Jinping, duke theksuar se dy liderët kanë zhvilluar rreth 9 orë bisedime intensive.

Sipas tij, diskutimet janë përqendruar kryesisht te marrëdhëniet ekonomike, stabiliteti global dhe ruajtja e komunikimit të drejtpërdrejtë mes dy vendeve.

“Presidentët zhvilluan aktivitete duke kaluar 9 orë komunikim me njëri-tjetrin”, u shpreh gazetari.

Ai theksoi se vizita është ndjekur me interes të madh nga qytetarët kinezë, të cilët shpresojnë në përmirësimin e marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Pekinit.

“Shumica e shtetasve kinezë e panë vizitën me interes dhe optimizëm. Shumë shpresojnë që marrëdhëniet mes dy vendeve të bëhen më të qëndrueshme, sidomos në aspektin ekonomik”, deklaroi ai.

Sipas gazetarit, qytetarët në Kinë preferojnë stabilitetin dhe shmangien e konflikteve, pasi tensionet mes dy vendeve ndikojnë drejtpërdrejt në ekonomi, biznes dhe jetën e përditshme.

Një nga rezultatet kryesore të takimeve, sipas tij, ishte dakordësia për të mbajtur të hapura kanalet e komunikimit mes dy vendeve.

“Trump ftoi presidentin Xi Jinping në Uashington gjatë vjeshtës, çka tregon se të dy shtetet duan të vijojnë dialogun”, tha ai.

Vizita e Trump në Pekin vjen në një moment tensionesh të larta globale, përfshirë çështjet tregtare, konfliktin në Azi dhe debatin për Tajvanin, ndërsa vetë presidenti amerikan ka deklaruar se nuk dëshiron luftë dhe kërkon stabilitet në rajon.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related