Që nga periudha 2014-2016, rezultati i saj ka pësuar rënie, kryesisht për shkak të dobësimit të performancës në sektorin e Mjedisit të Biznesit, i cili pasqyron një përparim më të ngadaltë në krahasim me BE-në. Ndërsa sektori që na penalizon më shumë është ai i intrastrukturës, ku Shqipëria renditet e fundit në Ballkanin Perëndimor.
Në rajon, më e avancuar në konvergjencën drejt BE-së është Mali i Zi, i ndjekur nga Serbia. Pas Shqipërisë vjen Maqedonia e Veriut, e ndjekur nga Bosnjë Hercegovina dhe e fundit është Kosova.
Raporti i fundit i OECD-së “Treguesi i Konvergjencës Ekonomike për Ballkanin Perëndimor 2025” gjeti se gjatë dy dekadave të fundit, ekonomitë e Ballkanit Perëndimor kanë shënuar përparim të moderuar në ngushtimin e hendekut të të ardhurave me vendet e Bashkimit Evropian: në vitin 2023, Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë (i matur me fuqinë blerëse) arriti vetëm në 40% të mesatares së BE-së.
Raporti analizon arsyet pse ky proces ecën ngadalë dhe thekson fushat e politikave ku ndërhyrja mund të përshpejtojë konvergjencën. Duke ofruar një kornizë objektive të bazuar në të dhëna, ky tregues shërben si një mjet praktik për të ndjekur rezultatet e politikave dhe reformave, si dhe për të identifikuar se cilat ekonomi po bëjnë përparim të prekshëm drejt ngushtimit të hendekut ekonomik me BE-në.
