Administrata Doganore Shqiptare dhe Administrata Doganore e Maqedonisë së Veriut po avancojnë bashkëpunimin dypalësh përmes hartimit të një Protokolli të ri për zbatimin e Marrëveshjes Ndërqeveritare për Kontrollet e Përbashkëta Kufitare.
Sipas institucioneve, dokumenti synon të rrisë efikasitetin e kontrolleve doganore, të lehtësojë tregtinë dhe lëvizjen ndërkufitare, si dhe të përmirësojë menaxhimin e kufirit në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe objektivat e integrimit rajonal.
Në kuadër të këtij procesi, delegacione të të dy administratave, të kryesuara nga drejtori i Përgjithshëm i Doganës Shqiptare, Besmir Beja, dhe drejtori i Administratës Doganore të Maqedonisë së Veriut, Boban Nikolovski, zhvilluan një vizitë në pikën e përbashkët kufitare Qafë Thanë–Qafasan. Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të misioneve të OSBE-së në të dy vendet.
Drejtori i Doganës Shqiptare, Besmir Beja, deklaroi se protokolli i ri do të mundësojë harmonizimin e procedurave doganore, koordinim më të mirë të burimeve dhe forcim të kontrolleve, duke lehtësuar njëkohësisht tregtinë e ligjshme dhe lëvizjen e udhëtarëve.
Nga ana e tij, Boban Nikolovski vlerësoi bashkëpunimin mes dy administratave, duke theksuar se zbatimi i protokollit pritet të ulë kohën e pritjes në kufi, të përshpejtojë flukset tregtare dhe të rrisë besimin e komunitetit të biznesit.
Përfaqësuesit e OSBE-së e konsideruan nismën një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar dhe të sigurisë rajonale, duke vlerësuar se protokolli ndërton mbi modelet ekzistuese të menaxhimit të integruar të kufirit dhe zgjeron bashkëpunimin edhe në operacionet doganore.
Sipas autoriteteve, protokolli i ri synon modernizimin e procedurave kufitare, rritjen e efikasitetit operacional, forcimin e sigurisë dhe lehtësimin e tregtisë, në funksion të zhvillimit ekonomik dhe integrimit evropian të rajonit.
