Një ngjarje e rëndë është shënuar në qytetin Manado, në ishullin indonezian të Sulawesit, ku një zjarr i fuqishëm ka përfshirë një azil për të moshuar, duke shkaktuar humbjen e jetës së 16 personave dhe plagosjen e tre të tjerëve.
Lajmi u konfirmua nga shërbimet e emergjencës, të cilat bënë me dije se shumica e viktimave janë gjetur brenda dhomave të tyre, çka tregon se të moshuarit ndodheshin në pushim në momentin kur shpërtheu zjarri.
Autoritetet arritën të evakuojnë 12 persona të tjerë, të cilët fatmirësisht nuk pësuan lëndime dhe u dërguan në spital për kontrolle mjekësore.
Pamjet e transmetuara nga mediat lokale tregojnë godinën e përfshirë plotësisht nga flakët, ndërsa ekipet zjarrfikëse luftuan për orë të tëra për vënien nën kontroll të zjarrit. Shkaqet e ngjarjes mbeten ende të paqarta dhe janë duke u hetuar nga autoritetet përkatëse.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik në Indonezi dhe ka rikthyer në vëmendje kushtet e sigurisë në institucionet e kujdesit për të moshuarit.
