Shqipëria dhe Kosova janë përfaqësuar së bashku në Panairi i Librit në Leipzig, një nga ngjarjet më të rëndësishme letrare në Evropë, duke promovuar gjuhën dhe kulturën shqiptare në arenën ndërkombëtare.
Në kuadër të këtij eventi, ministrja e Kulturës së Kosovës, Saranda Bogujevci, vizitoi stendën shqiptare, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit kulturor mes dy vendeve.
Sipas Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, pjesëmarrja e përbashkët është një dëshmi e përkushtimit për të forcuar praninë e letërsisë shqipe në tregjet ndërkombëtare, veçanërisht në hapësirën gjermanofolëse. Një fokus i veçantë i këtij bashkëpunimi mbetet përkthimi dhe promovimi i autorëve shqiptarë jashtë vendit.
Një nga aktivitetet kryesore ishte paneli me temë “Kujtesë e kontestuar, zëra të lidhur: Letërsia dhe politika në Ballkan”, ku morën pjesë autore si Jehona Kicaj, Majlinda Bregasi dhe Nerimane Kamberi.
Diskutimi nxori në pah rolin e letërsisë si një mjet reflektimi mbi zhvillimet historike dhe politike në rajon, si dhe rëndësinë e saj në formësimin e kujtesës kolektive.
Panairi i Librit në Leipzig mbledh çdo vit botues, autorë dhe studiues nga e gjithë bota, duke shërbyer si një platformë e rëndësishme për promovimin e kulturave dhe dialogut ndërkombëtar përmes letërsisë.
