Kryeministri Edi Rama ka marrë disa vendime dhe iniciativa të diskutueshme që kanë ngjallur reagime të forta në opinionin publik. Ai ka pranuar se po “fal” tokat shqiptare për të huajt, duke e kthyer Shqipërinë në një çiflig për investitorët e huaj. Në një moment kur vendi përballet me sfida të mëdha, si emigracioni, kriza politike dhe ekonomike, Rama ka zgjedhur të copëtojë e të ndajë sikur të ishin ngastra buke, tokat e Shqipërisë për të huajt.
Pas dhënies së portit të Durrësit për një investitor arab, Rama është raportuar se po planifikon të ndajë gjithashtu resurse dhe pasuri me dhëndrin e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, të cilit thuhet se do t’i “falë” ishullin e Saznait. Italianët, gjithashtu, kanë përfituar nga këto marrëveshje, duke ndërtuar kampe për refugjatët e paligjshëm në Gjadër dhe Shëngjin në Lezhë, një veprim që ka sjellë shqetësime mbi pasojat sociale dhe ekonomike për vendin. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, edhe Turqia ka pjesën e saj në Shqipëri.
Rama i është nënshtruar presidentit të Turqisë, Rexhep Erdogan, ku në këmbim të investimit të Xhamisë së Namazgjasë, e cila u inaugurua javën që shkoi, ai i ka dhënë “sulltanit” turk autoritet të plotë mbi kontrollin e këtij institucioni fetar, duke futur përçarje mes myslimanëve në Shqipëri, pasi zotër të ndërtesës janë turqit dhe jo shqiptarët. Kjo situatë ngre pyetje të rëndësishme mbi prioritetet e qeverisë dhe ndikimin që këto politika mund të kenë në jetën e përditshme të shqiptarëve.
A është Shqipëria në rrugën e duhur për të garantuar zhvillim të qëndrueshëm, apo po shndërrohet në një mjet për interesat e huaja? Tensionet rriten, dhe me to, shqetësimet për identitetin dhe sovranitetin e vendit. Por këto shqetësime kryeministri Rama nuk i sheh dhe as nuk i interesojnë, duke vijuar i qetë axhendën e tij anti-shqiptare dhe kthyer Shqipërinë në çiflig të Melonit, Erdogan, etj.
Pritet hapja e kampit në Gjadër
Ndërkohë kujtojmë se këtë javë pritet të vihet në funksion kampi për emigrantët në Gjadër të Lezhës, pas marrëveshjes së nënshkruar mes Shqipërisë dhe Italisë. Rreth 400 do jenë emigrantët e parë që do vendosen këtë kamp në fazën e parë, ndërsa kryeministri Edi Rama në një intervistë për median italiane “La Repubblica”, ka folur për këtë marrëveshje. Kreu i qeverisë shprehet se qendrat për emigrantët nuk kanë asnjë lidhje me qeverinë shqiptare. I pyetur nëse është i shqetësuar se pakti mes dy vendeve mund të dështojë, kryeministri thotë se nuk ka asnjë arsye për t’u shqetësuar dhe kjo do të ndodhë vetëm nëse do ketë arsye apo atëherë kur Italia do të kërkojë që të ndajnë shqetësimin.
Rama bën të qartë se marrëveshja nuk parashikon që emigrantët të largohen nga kampet dhe të lëvizin lirshëm, pasi në raste të tilla do të ndërhyjnë forcat shqiptare të sigurisë. Kryeministri thotë se është krejt i qetë, ndërsa sa i takon vonesave për hapjen e kampit në Gjadër shprehet se ndërtimi dhe menaxhimi i qendrave të emigrantëve nuk i përket Shqipërisë, pasi tashmë ajo është nën juridiksionin italian. “Do të shqetësohem nëse dhe kur ka arsye për t’u shqetësuar, dhe vetëm nëse Italia na kërkon të ndajmë shqetësimin.
