Shpopullimi zbraz shkollat, mbi 113 mijë nxënës më pak në arsimin bazë gjatë një dekade

Data

Sistemi arsimor parauniversitar në Shqipëri po përballet me pasojat e drejtpërdrejta të krizës demografike. Sipas një raporti të organizatës “Qëndresa Qytetare”, të bazuar në të dhënat e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe INSTAT-it, numri i nxënësve në vend ka pësuar një rënie të ndjeshme gjatë dhjetë viteve të fundit.

Raporti tregon se në arsimin bazë publik numri i nxënësve ka rënë nga 342,765 në vitin shkollor 2014–2015 në 228,833 në vitin 2023–2024. Kjo përkthehet në 113,932 nxënës më pak, ose një tkurrje prej rreth 33%, çka do të thotë se një në tre nxënës mungon sot krahasuar me një dekadë më parë.

Edhe më e thellë paraqitet rënia në arsimin e mesëm, ku numri i nxënësve është përgjysmuar, duke zbritur nga 125,517 në 63,092 gjatë së njëjtës periudhë. Sipas raportit, kjo lidhet me rënien e lindshmërisë, emigracionin e familjeve të reja dhe largimin e të rinjve nga vendi.

Tkurrja e popullsisë shkollore ka sjellë edhe riorganizimin e rrjetit arsimor. Numri i shkollave publike të arsimit bazë ka rënë nga 1,317 në 1,014, duke bërë që 303 institucione të mbyllen, bashkohen ose riorganizohen. Në arsimin e mesëm, numri i shkollave është ulur nga 381 në 351.

Raporti evidenton se mbyllja e shkollave ka prekur kryesisht zonat rurale dhe malore, ku mungesa e nxënësve ka detyruar bashkimin e institucioneve ose transportimin e fëmijëve drejt shkollave më të largëta.

Një tjetër tregues i tkurrjes së sistemit janë klasat kolektive, ku një mësues zhvillon mësim njëkohësisht për nxënës të klasave të ndryshme. Numri i tyre ka rënë nga 3,241 në vitin shkollor 2015–2016 në 2,253 në vitin 2025–2026, ndërsa numri i nxënësve që mësojnë në këto klasa është përgjysmuar, nga 35,843 në 17,864.

Sipas autorëve të raportit, në themel të këtij fenomeni qëndron rënia e lindjeve. Të dhënat tregojnë se numri i lindjeve në Shqipëri ka zbritur nga 35,717 në vitin 2014 në 22,541 në vitin 2025, një rënie prej rreth 37%.

Raporti përfundon se përballimi i kësaj situate kërkon politika afatgjata që lidhin arsimin me mbështetjen për familjet e reja, zhvillimin ekonomik, migracionin dhe planifikimin territorial. Në të kundërt, paralajmërohet se rënia e numrit të nxënësve do të vijojë të sjellë mbyllje shkollash, riorganizim të rrjetit arsimor dhe sfida të reja për sistemin e arsimit në vend.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related