Këtë të mërkurë, GJKKO ka rrëzuar kërkesën e Arben Meskutit për ndryshimin e masës së sigurisë “arrest në burg”.
Meskuti i cili është pronari i disa shoqërive që ngritën ‘skemën piramidale’ të mikrokredive, mbahet në qelinë e paraburgimit nën dyshimin se ka mashtruar mijëra qytetarë debitorë përmes mikrokredive.
Në dhjetor të vitit të kaluar, prokuroria e Tiranës shpalli moskompetencë për dosjen e mikrokredive duke e referuar atë në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion.
Skema e mashtrimit
Procedimi penal për skemën piramidale të mashtrimit te microkredi ka nisur në 25 shkurt të vitit 2020 pas kallëzmit të bërë në Prokurorinë e Tiranës nga Ministria e Drejtësisë. Gjatë hetimeve Prokuroria ka zbuluar se 5 shoqëritë, Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, FS, FLASH, morën nga një bankë e nivelit të dytë, 3999 kredi të konsideruara të këqija dhe të pashlyera ndër vite me një shumë totale prej rreth 7.3 milionë euro.
