Shpërthen Kryesia e PD-së: Debate të ashpra Salianji–Noka, akuza, thirrje për dorëheqje dhe replika me Berishën

Data

Ka përfunduar mbledhja e Kryesisë së Partisë Demokratike, e zhvilluar mes tensioneve të forta dhe debateve me tone të larta, ku përplasjet kryesore janë shënuar mes Ervin Salianjit dhe Flamur Nokës, në prani edhe të kryetarit të PD-së, Sali Berisha.

Sipas burimeve nga mbledhja me dyer të mbyllura, diskutimet janë përshkallëzuar pas debateve mbi strategjinë politike të opozitës dhe funksionimin e brendshëm të partisë. Flamur Noka ka akuzuar Salianjin se me qëndrimet dhe lëvizjet e tij po dëmton unitetin e Partisë Demokratike dhe po i shërben interesave të kundërshtarëve politikë.

Nga ana tjetër, Ervin Salianji ka reaguar ashpër, duke i kërkuar Nokës dorëheqjen dhe duke e bërë përgjegjës për vendimmarrje të gabuara brenda partisë, përfshirë edhe çështjen e Avokatit të Popullit. Salianji ka theksuar se vëmendja e Kryesisë po devijohet nga beteja kryesore politike me qeverinë.

“Sot mendova se e kishim mbledhjen për të rrëzuar Ramën, e paskeni me mua. Po e zhvendosni vëmendjen plotësisht nga Rama”, mësohet të ketë deklaruar Salianji gjatë përplasjes.

Burime nga mbledhja bëjnë me dije se tensionet nuk janë ndalur me kaq. Salianji i është drejtuar edhe kryetarit të PD-së, Sali Berisha, duke ngritur pikëpyetje mbi kufizimet ndaj takimeve me bazën demokrate dhe duke pyetur drejtpërdrejt: “Cili nen i statutit na ndalon të takojmë demokratët?”.

Debatet janë shoqëruar me replika të forta dhe tone të larta, duke reflektuar përçarjet e thella brenda Partisë Demokratike në një moment të ndjeshëm politik. Megjithatë, deri në përfundim të mbledhjes, nuk është bërë publik asnjë vendim apo qëndrim zyrtar nga drejtuesit e partisë lidhur me përplasjet e ndodhura.

Mbledhja u mbyll pa një deklaratë për mediat, ndërsa burimet konfirmojnë se tensionet dhe mosmarrëveshjet brenda Kryesisë mbeten të hapura.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related