Një vendim i papritur ka shkaktuar reagime dhe pakënaqësi në Spitalin Rajonal të Elbasanit. Drejtoria e spitalit ka shkarkuar nga detyra Dr. Ergys Micin, shefin e Urgjencës, një prej shërbimeve më të ndjeshme dhe jetike për qytetin dhe zonën përreth.
Dr. Mici njihej nga kolegët dhe pacientët si një profesionist i përkushtuar, me angazhim të vazhdueshëm në menaxhimin e rasteve emergjente dhe në funksionimin e përditshëm të urgjencës. Gjatë viteve në krye të këtij shërbimi, ai është vlerësuar për korrektësi profesionale, eksperiencë dhe prezencë të pandërprerë në punë.
Sipas burimeve nga brenda spitalit, vendimi për shkarkimin e tij është marrë pa një shpjegim të qartë profesional, çka ka ngritur dyshime dhe pikëpyetje serioze. Lëvizja vjen në një moment kur shërbimi i urgjencës konsiderohet kritik për qytetarët dhe kërkon stabilitet maksimal.
Dyshimet janë shtuar edhe më shumë për shkak se, sipas informacioneve të brendshme, shefi i ri i Urgjencës rezulton të jetë aktualisht specializant në Tiranë dhe gjatë orarit zyrtar të punës ndodhet jashtë Elbasanit. Kjo ka ngritur shqetësime mbi mënyrën se si do të menaxhohet një shërbim që kërkon prezencë të plotë, vendimmarrje të menjëhershme dhe përgjegjësi të vazhdueshme.
Deri në këto momente, Drejtoria e Spitalit Rajonal Elbasan nuk ka dhënë një shpjegim publik të detajuar mbi arsyet konkrete të këtij vendimi. Ndërkohë, brenda stafit flitet për një shkarkim të padrejtë dhe të nxituar, që mund të ndikojë negativisht në funksionimin e urgjencës dhe në cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve.
Në një kohë kur sistemi shëndetësor përballet me sfida të shumta dhe qytetarët kërkojnë profesionalizëm dhe siguri në shërbimet jetike, ky vendim pritet të vazhdojë të prodhojë reagime dhe pakënaqësi.
