Shirat e dendur të ditëve të fundit kanë shkaktuar dëme të rënda në fshatin Dhoksat të Gjirokastrës, ku si pasojë e erozionit u shemb banesa e familjes Çepa. Shtëpia është bërë e pabanueshme, ndërsa kryefamiljari Leonidha Çepa ka deklaruar se është detyruar të flejë jashtë, duke larguar pjesëtarët e tjerë të familjes për siguri.
“Kjo ishte shtëpia ime. Tani jetoj në qiell të hapur. Muri u rrëzua dhe gjithçka që kisha mbeti brenda,” shprehet Çepa, i cili apelon për ndihmë nga institucionet shtetërore.
Sipas Bashkisë së Gjirokastrës, moti i keq ka shkaktuar dëmtime në rreth 130 banesa dhe biznese në zonë. Aktualisht, 14 familje të mbetura pa strehë po përfitojnë subvencion për pagesën e qirasë. Autoritetet lokale vijojnë monitorimin për të parandaluar rreziqe të tjera.
