Kuvendi nisi sot diskutimet për ngërçin e krijuar në procesin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit. Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, akuzoi mazhorancën se po tenton të çojë përpara një proces të njëanshëm dhe në kundërshtim me Kushtetutën, ndërsa theksoi se opozita ka paralajmëruar prej kohësh kandidatët për pasojat e një votimi vetëm me mbështetjen e PS-së.
Bylykbashi tha se një prej kandidatëve, Endri Shabani, ishte në dijeni se Partia Demokratike do t’i tërhiqte mbështetjen nëse ai pranonte të zgjidhej Avokat i Popullit me votat e mazhorancës, ndërkohë që kishte përdorur firmat e opozitës për regjistrimin në garë.
“Endri Shabanit i është bërë e qartë ditën që ka marrë firmën se nëse do të shkojë përpara duke përdorur firmat e opozitës, por votat vetëm të mazhorancës, atij do t’i tërhiqet mbështetja,” deklaroi Bylykbashi.
“BE nuk e mbështet nxitimin tuaj”
Deputeti demokrat theksoi se mazhoranca nuk mund të kërkojë të zgjedhë Avokatin e Popullit pa konsensus politik, duke paralajmëruar se një proces i tillë nuk do të gëzojë as mbështetjen ndërkombëtare.
“BE nuk e mbështet nxitimin tuaj në këtë moment, as kandidatura politike. Ata janë të gatshëm të presin derisa Parlamenti të mbledhë firma në mënyrë konsensuale, për një Avokat Populli që e përmbush me dinjitet funksionin.”
Sipas Bylykbashit, çdo përpjekje për të zgjedhur një kandidat që mbështetet vetëm nga njëra palë bie ndesh me frymën e Kushtetutës dhe traditën e konsensusit për këtë post, i cili kërkon shumicë të cilësuar prej 84 votash.
Tërheqja e firmave nga PD dhe ngërçi aktual
PD tërhoqi të gjitha firmat mbështetëse për kandidatët vetëm pak ditë para se procesi të kalonte në seancë plenare, duke e cilësuar garën një “farsë të dirigjuar nga mazhoranca”. Nga ana e saj, PS ka deklaruar se kandidatët e garës janë të gjithë propozime të opozitës dhe se tërheqja e firmave është një veprim politik që cenon procesin.
