Gardh metalik para Kryeministrisë, protestuesit nisin marshimin kundër projektit në Zvërnec
Tensioni po rritet në kryeqytet teksa qytetarë dhe aktivistë janë mbledhur për ditën e katërt radhazi në protestë kundër projektit të investimit në zonën e Zvërnecit.
Pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, protestuesit pritet të marshojnë drejt Kryeministrisë, ku do të kërkojnë anulimin e projektit dhe më shumë transparencë nga institucionet lidhur me procedurat e ndjekura për zhvillimin e tij.
Ndërkohë, Policia e Shtetit ka shtuar masat e sigurisë. Në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” është vendosur një gardh metalik pranë godinës së Kryeministrisë, ndërsa në terren janë dislokuar forca të shumta policore për monitorimin e protestës dhe garantimin e rendit publik.
Organizatorët kanë bërë të ditur se mobilizimi qytetar do të vijojë edhe në ditët në vazhdim, duke theksuar se kundërshtimi i projektit në Zvërnec mbetet një nga kërkesat kryesore të protestuesve.
Kjo është protesta e katërt radhazi që zhvillohet në Tiranë, ndërsa reagimet kundër projektit janë shtrirë edhe në qytete të tjera të vendit dhe në disa vende të Europës.
