Gjysma e të punësuarve me pagë në Shqipëri marrin deri në 52 mijë lekë neto në muaj, ose rreth 63,456 lekë bruto, sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave për pagën mediane në tremujorin e tretë të vitit.
Paga mediane është niveli i pagës që ndan punëmarrësit në dy grupe të barabarta: 50% e tyre paguhen më pak se kjo vlerë dhe 50% më shumë. Ndryshe nga paga mesatare, e cila ndikohet nga pagat shumë të larta ose shumë të ulëta, paga mediane jep një pasqyrë më reale të të ardhurave që merr shumica e punonjësve.
Sipas INSTAT, diferenca mes pagës mediane dhe pagës mesatare mbetet e theksuar. Në tremujorin e tretë, paga mesatare mujore ishte rreth 83,300 lekë, ose rreth 31% më e lartë se paga mediane. Kjo tregon se rritja e pagës mesatare nxitet kryesisht nga të ardhurat e një grupi të vogël punonjësish me paga të larta, ndërsa pjesa më e madhe e të punësuarve përfiton më pak.
Të dhënat historike tregojnë se paga mediane ka ndjekur një rritje të qëndrueshme vitet e fundit, kryesisht si rezultat i rritjes së pagës minimale. Në fillim të vitit 2021, paga mediane mujore bruto ishte rreth 40,600 lekë. Gjatë vitit 2022 ajo u rrit në mbi 46,200 lekë, me një periudhë stabilizimi të përkohshëm gjatë tremujorëve të atij viti.
Rritja u bë më e dukshme në vitin 2023, kur paga mediane kaloi nga rreth 49,600 lekë në tremujorin e parë në afro 52,900 lekë në tremujorin e tretë. Në vitin 2024, mediana vijoi rritjen nga 55,200 lekë në rreth 58,000 lekë. Në vitin 2025, ajo arriti në mbi 63,000–63,456 lekë bruto, duke reflektuar një përshpejtim të rritjes së pagave, veçanërisht në segmentin e mesëm dhe në administratën publike.
Megjithatë, rritja nominale e pagave nuk është shoqëruar me përmirësim të ndjeshëm të fuqisë blerëse. Shtrenjtimi i fortë i qirave dhe i ushqimeve, sidomos në qytetet e mëdha, ka gërryer të ardhurat reale të familjeve. Për herë të parë në vitin 2024, Shqipëria regjistroi çmime mesatare të ushqimeve më të larta se mesatarja e Bashkimit Europian, duke rënduar ndjeshëm buxhetet familjare.
Në këtë kontekst, paga mediane mbetet një tregues më realist i gjendjes ekonomike të shumicës së punonjësve, duke treguar se pavarësisht rritjes së pagave në statistika, gjysma e të punësuarve vazhdon të jetojë me të ardhura relativisht të ulëta.
