Mbretëria e Bashkuar pritet të përjetojë një fenomen të rrallë meteorologjik të njohur si “shiu i përgjakur”, për shkak të një reje pluhuri të kuq nga Sahara që po lëviz drejt Europës dhe Britanisë.
Sipas ekspertëve të Copernicus Atmosphere Monitoring Service (CAMS), grimcat e pluhurit saharian do të përzihen me reshjet, duke i dhënë shiut një nuancë të kuqërremtë dhe një pamje dramatike në qiell, kryesisht mbi jugun e Anglisë.
Fenomeni pritet të zgjasë rreth dy orë në mesditë. Shkencëtarët theksojnë se, pavarësisht emrit, “shiu i përgjakur” nuk paraqet rrezik për shëndetin dhe nuk pritet të ndikojë në cilësinë e ajrit, por mund të lërë një shtresë të hollë pluhuri mbi automjete dhe sipërfaqe të ekspozuara.
