Aksi rrugor Ura e Shtrenjtë–Prekal është bllokuar plotësisht për qarkullim, pas një shembjeje të konsiderueshme të trupit të rrugës, e shkaktuar nga rrëshqitja e dherave si pasojë e reshjeve intensive të 48 orëve të fundit.
Shembja është konstatuar në vendin e quajtur “Shkallë Logje”, një segment problematik i këtij aksi, ku masa të mëdha dheu kanë rrëshqitur drejt rrugës, duke e bërë atë të pakalueshme dhe potencialisht të rrezikshme për çdo mjet apo këmbësor.
Menjëherë pas sinjalizimit, në terren kanë ndërhyrë ekipet e Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike të Bashkisë Shkodër, të cilat kanë vendosur sinjalistikën përkatëse dhe kanë bllokuar qarkullimin për të shmangur rrezikun.
Autoritetet lokale bëjnë me dije se situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa pritet një vlerësim më i detajuar teknik për shkallën e dëmtimit dhe ndërhyrjet që do të nevojiten për rikthimin e qarkullimit normal.
Si pasojë e këtij bllokimi, banorët e zonës së Prekalit dhe fshatrave përreth kanë aktualisht vetëm një rrugë alternative për lëvizje, përmes drejtimit nga Qafa e Thores. Nga ana e Malit të Shoshit, qarkullimi mbetet i pamundur, pasi rruga është e bllokuar në zonën e Prekalit.
Bashkia Shkodër u bën thirrje banorëve dhe drejtuesve të mjeteve që të shmangin lëvizjet e panevojshme në këtë zonë, deri në stabilizimin e situatës dhe ndërhyrjen përfundimtare në trupin e rrugës.
