Kryetari i Partisë MUNDËSIA, Agron Shehaj, ka reaguar lidhur me organizimin e koncertit të reperit amerikan Kanye West, duke pretenduar se shkollat po përdoren për të ftuar nxënësit të marrin pjesë në aktivitetin e planifikuar për më 11 korrik.
Në një postim në rrjetet sociale, Shehaj publikoi një mesazh që, sipas tij, u është dërguar prindërve nga një shkollë, ku thuhet se nxënësit janë përzgjedhur për të ndjekur koncertin për shkak të rezultateve të tyre të mira në mësime.
“Imagjinoni të jeni një prind dhe t’ju vijë ky mesazh nga shkolla.
‘Përshëndetje! Vajza juaj është përzgjedhur nga shkolla për rezultatet e shkëlqyera për të marrë pjesë në datën 11 korrik në koncertin e Kanye West’”, shkruan Shehaj.
Në reagimin e tij, ai kritikoi përzgjedhjen e artistit, duke iu referuar deklaratave publike të Kanye West që kanë shkaktuar polemika ndërkombëtare.
“Kanye West është një adhurues i nazizmit dhe një adhurues i Hitlerit,” u shpreh Shehaj.
Sipas tij, është e papranueshme që nxënësit e dalluar të ftohen nga shkollat për të marrë pjesë në koncertin e një artisti që ka qenë objekt kritikash për deklaratat e tij.
Shehaj deklaroi gjithashtu se në disa vende koncertet e Kanye West janë përballur me kufizime ose anulime, ndërsa akuzoi qeverinë shqiptare se ka përdorur fonde publike për organizimin e aktivitetit.
“Në Shqipëri ndodh e kundërta. Edi Rama ka shpenzuar mbi 4 milionë euro për të blerë biletat e koncertit dhe tani duhet të mbushë stadiumin,” tha ai.
Sipas kreut të Partisë MUNDËSIA, për të siguruar pjesëmarrje në koncert po ftohen nxënës, militantë dhe patronazhistë, ndërsa e cilësoi të papranueshëm përdorimin e parave publike për këtë qëllim.
Deri më tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga Ministria e Arsimit apo institucionet përgjegjëse lidhur me pretendimet e ngritura nga Shehaj.
