Ka nisur grumbullimi i qytetarëve në sheshin “Skënderbej” për protestën e 40-të radhazi në kryeqytet, një mobilizim që organizatorët e cilësojnë si vijim të lëvizjes qytetare kundër qeverisë.
Qindra protestues janë mbledhur këtë pasdite në qendër të Tiranës, të pajisur me pankarta dhe mesazhe që shprehin kërkesat e tyre për ndryshim, transparencë dhe përgjegjshmëri institucionale.
Sheshi “Skënderbej” është kthyer në pikën e nisjes së tubimit, ndërsa pas organizimit fillestar pjesëmarrësit pritet të marshojnë drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku do të vijojë protesta.
Protestat kanë hyrë tashmë në ditën e 40-të radhazi, me organizatorët që kanë deklaruar se tubimet do të vazhdojnë deri në realizimin e kërkesave të tyre. Edhe këtë mbrëmje pritet që gjatë marshimit të mbahen fjalime dhe të përsëriten thirrjet e protestuesve drejtuar institucioneve dhe qeverisë.
