Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën në Kuvend ka vendosur përjashtimin e deputetit dhe kreut të Partisë Mundësia, Agron Shehaj, nga pjesëmarrja në seancat plenare dhe mbledhjet e komisioneve parlamentare për një periudhë 60-ditore.
Vendimi u mor pas një kërkese të paraqitur nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, lidhur me incidentin e ndodhur një ditë më parë gjatë procedurave për shqyrtimin e marrëveshjes për huanë direkte ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara në kuadër të programit amerikan të Financimit të Jashtëm Ushtarak (FMF).
Sipas kërkesës së shumicës parlamentare, dokumenti në fjalë përmbante informacion të klasifikuar dhe mund të konsultohej vetëm në ambientet e përcaktuara nga Kuvendi, pasi deputetët të kishin nënshkruar deklaratën e konfidencialitetit. Në kërkesë pretendohet se Shehaj mori dokumentin dhe u largua me të, pavarësisht kundërshtimit të stafit të Kuvendit.
Po sipas kësaj kërkese, një këshilltare e Kuvendit pësoi dëmtime pasi u rrëzua gjatë përpjekjes për të rimarrë dokumentin.
Përveç masës disiplinore, Partia Socialiste ka kërkuar referimin e çështjes në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), duke argumentuar se veprimet e deputetit mund të përbëjnë vepra penale që lidhen me administrimin e dokumenteve të klasifikuara dhe pengimin e ushtrimit të detyrës së funksionarëve publikë.
Nga ana tjetër, Agron Shehaj ka kundërshtuar akuzat. Ai ka deklaruar se veprimet e tij synonin të denonconin, sipas tij, mungesën e transparencës në shqyrtimin e marrëveshjes dhe procedurën e përshpejtuar të ndjekur për miratimin e saj.
Deklaratat e palëve përfaqësojnë qëndrimet e tyre për këtë çështje. Deri në publikimin e këtij materiali, nuk ka një vendimmarrje nga organet e drejtësisë mbi pretendimet e ngritura.
Sqarim: Procedurat hetimore janë në vijim. Rrethanat dhe përgjegjësia penale do të përcaktohen nga organet kompetente, ndërsa personat e përfshirë në procedurat hetimore prezumohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.
