Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përshëndetur zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor në Kosovë, duke i cilësuar ato si një sukses të vërtetë të demokracisë dhe një fitore të qytetarëve të lirë.
Në reagimin e tij, Berisha theksoi se procesi zgjedhor në Kosovë u zhvillua me standarde të larta demokratike, me garë të lirë, administrim korrekt dhe respektim të plotë të vullnetit të qytetarëve. Sipas tij, Kosova tregoi se zgjedhjet mund të jenë reale dhe jo një formalitet politik.
Ai vlerësoi institucionet e Kosovës për organizimin e zgjedhjeve dhe qytetarët për kulturën demokratike të treguar, duke nënvizuar se verdikti i sovranit u respektua pa ndërhyrje dhe presione. Berisha e cilësoi këtë proces si një kontrast të fortë me situatën në Shqipëri, ku sipas tij zgjedhjet janë shndërruar në farsë elektorale përmes kapjes së shtetit dhe manipulimit politik.
Kreu i Partisë Demokratike uroi kryeministrin në detyrë Albin Kurti për fitoren e thellë, duke e konsideruar atë si rezultat të drejtpërdrejtë të vullnetit të qytetarëve dhe të një procesi të ndershëm zgjedhor. Ai përshëndeti gjithashtu të gjitha forcat politike për pjesëmarrjen dhe respektimin e verdiktit të popullit.
“Uroj përzemërsisht qytetarët e lirë të Kosovës për këtë proces dinjitoz dhe frymëzues. Kosova mbetet krenari për të gjithë shqiptarët dhe shembull se si duhet të funksionojë demokracia”, u shpreh Berisha.
