Zyrtarë të lartë ekonomikë nga Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë zhvilluar në Paris ditën e parë të bisedimeve për të adresuar mosmarrëveshjet tregtare mes dy vendeve dhe për të përgatitur një takim mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit kinez Xi Jinping në fund të muajit mars.
Diskutimet u zhvilluan në selinë e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) dhe u drejtuan nga Sekretari i Thesarit i SHBA-së, Scott Bessent, dhe zëvendëskryeministri kinez He Lifeng.
Bisedimet pritet të përqendrohen në disa çështje kyçe, përfshirë tarifat tregtare të vendosura nga SHBA, eksportin e mineraleve të rralla nga Kina drejt industrisë amerikane, kontrollet e eksportit të teknologjisë së avancuar dhe blerjet kineze të produkteve bujqësore amerikane.
Takimi mes delegacioneve zgjati më shumë se gjashtë orë dhe pritet të vijojë edhe të hënën me një raund të dytë diskutimesh.
Një zëdhënës i Departamentit të Thesarit nuk dha detaje mbi përmbajtjen apo tonin e negociatave, ndërsa përfaqësuesit kinezë u larguan nga selia e OECD pa bërë deklarata për mediat.
Përfaqësuesi i Tregtisë i SHBA-së, Jamieson Greer, tha se qëllimi i bisedimeve është stabilizimi i marrëdhënieve ekonomike mes dy ekonomive më të mëdha në botë.
Ai theksoi se SHBA synon të sigurojë furnizimin me minerale të rralla për industrinë amerikane dhe të ruajë shkëmbimet tregtare me Kinën, ndërsa të dy liderët pritet të diskutojnë këto çështje gjatë takimit të planifikuar në Pekin në fund të marsit.
