Një nga traditat më të vjetra për vizitorët në Romë është hedhja e një monedhe në shatërvanin e famshëm Trevi përpara largimit nga ‘qyteti i përjetshëm’. Sipas gojëdhënës, monedha duhet hedhur me dorën e djathtë mbi supin e majtë ndërsa i ke kthyer shpinën shatërvanit. Por ku shkojnë monedhat e hedhura në shatërvanin e ‘fatit’ nga miliona turistë nga mbarë bota që vizitojnë destinacionin e rrallë që i përket shekullit të 18?
Për një turist që viziton për herë të parë Romën dhe dëshiron të rikthehet në ‘qytetin e përjetshëm’ mjafton hedhja e një monedhe në shatërvanin Trevi dhe shprehja e dëshirës, të paktën kështu thotë gojëdhëna.
Çdo vit miliona turistë vizitojnë Romën dhe hedhin miliona monedha në shatërvanin Trevi. Por ku shkojnë këto para?
Për më shumë se 15 vjet, falë një marrëveshje me qytetin e Romës, shoqata bamirëse katolike ‘Caritas’ ka përdorur rreth një milion e gjysmë monedha të mbledhura çdo vit për të financuar aktivitetet bamirëse.
Dy herë në javë, punonjësit e kompanisë ACEA, që furnizon Romën me ujë dhe energji, i mbledh monedhat e hedhura në shatërvan.
