Tenderi për ndërtimin e Fazës 1 të Portit të ri tregtar në Porto Romano është anuluar për herë të dytë, duke ngritur pikëpyetje mbi kostot që janë shpenzuar deri tani nga buxheti i shtetit për këtë projekt strategjik.
Një nga shpenzimet kryesore lidhet me tenderin për hartimin e projektit teknik të detajuar të portit. Ky tender u shpall më 12 shtator 2022 nga qeveria shqiptare dhe kishte si objekt përgatitjen e projektit teknik për Portin e ri të integruar të Durrësit në Porto Romano.
Fondi limit për këtë procedurë ishte rreth 1.36 miliard lekë, ose rreth 13.8 milionë euro. Në garë morën pjesë 14 operatorë ekonomikë, por 9 prej tyre u skualifikuan. Fitues u shpall bashkimi i disa kompanive ndërkombëtare dhe vendase, mes tyre “HaskoningDHV Nederland B.V.”, “ADEC Engineering Consultancy”, “ABKONS”, “Taulant” dhe “Geo-Eng”.
Përveç kësaj, në vitin 2024 qeveria autorizoi Autoritetin Portual Durrës që të negociojë drejtpërdrejt me kompaninë ndërkombëtare Royal Haskoning DHV për shërbime konsulence që lidhen me proceset e konkurrimit, kontraktimit, ndërtimit dhe mbikëqyrjes së portit. Megjithatë, vlera financiare e kësaj kontrate nuk është bërë publike.
Ndërkohë tenderi për ndërtimin e portit kishte një vlerë të parashikuar prej rreth 39.32 miliard lekësh. Procedura u shpall fillimisht në korrik 2024, por u anulua pasi nuk pati oferta nga kompanitë.
Tenderi u rishpall më 24 dhjetor 2024 dhe zgjati rreth 15 muaj, por edhe kjo procedurë u anulua në mars 2026. Në garë morën pjesë disa kompani të mëdha ndërkombëtare të sektorit të ndërtimit dhe infrastrukturës portuale, por pas fazës së parakualifikimit mbetën vetëm dy kompani.
Pas zhvillimeve të fundit, mbetet e paqartë se si do të vijojë projekti i Portit të Porto Romanos. Mes skenarëve të mundshëm përmenden kontraktimi pa tender, realizimi përmes koncesionit, rishpallja e një tenderi të ri ose shtyrja e mëtejshme e projektit.
