Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka kërkuar që sesioni i ri parlamentar të nisë me shqyrtimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Gjatë fjalës së tij në Konferencën e Kryetarëve, Blushi akuzoi mazhorancën se ka bllokuar me qëllim Këshillin e Mandateve, duke i dhënë Ballukut gjashtë javë kohë për të prishur provat dhe për të ushtruar presion mbi dëshmitarët.
Sipas tij, qëndrimi i Ballukut në detyrë, pavarësisht faktit se ndaj saj ka një kërkesë nga SPAK, është një akt i hapur mbrojtjeje politike dhe promovim i pandëshkueshmërisë.
“E keni kthyer Kuvendin në bunkerin e korrupsionit të Edi Ramës. Ky sesion duhet të nisë me heqjen e imunitetit të Ballukut dhe dorëzimin e saj para drejtësisë”, deklaroi Blushi.
Ai theksoi se mazhoranca kishte premtuar publikisht se do të miratonte çdo kërkesë të SPAK për autorizim, por sipas tij, në rastin konkret po përdoret Kuvendi si mburojë për aferat qeveritare.
Blushi akuzoi drejtuesit e Kuvendit për shkelje të rëndë të rregullores dhe Kushtetutës, duke thënë se bllokimi i Këshillit të Mandateve është një akt i qëllimshëm për të penguar drejtësinë. Ai paralajmëroi se çdo përpjekje për të mbrojtur Ballukun përbën inkriminim politik për mazhorancën.
“Nuk po mbroni Ballukun, po mbroni aferat e Edi Ramës. Mos e përdorni mandatin për të mbrojtur krimet e shefit tuaj”, u shpreh ai.
Deputeti i Partisë së Lirisë denoncoi gjithashtu faktin se sesioni i ri po nis me shkelje të rënda të të drejtave të opozitës, duke përmendur përjashtimin e deputetëve opozitarë, bllokimin e komisioneve hetimore dhe mosshqyrtimin e projektligjeve të depozituara nga opozita.
Blushi theksoi se Partia e Lirisë ka depozituar projektligje të rëndësishme për uljen e TVSH-së dhe për sigurinë ushqimore, si dhe kërkesa për interpelanca ministrore, por mazhoranca ende nuk ka caktuar data për shqyrtimin e tyre.
“Nuk mund të kërkoni konsensus për reforma, ndërkohë që nisni sesionin me shkelje të rënda të Kushtetutës dhe mohimin e të drejtave të opozitës”, përfundoi Blushi.
