Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar pasoja serioze politike nëse dështon zgjedhja e presidentit të ri, duke theksuar se vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.
Gjatë një seance të jashtëzakonshme në Kuvend, ku ishte e pranishme vetëm mazhoranca, Kurti u shpreh se një skenar i tillë do të çonte në zgjedhjet e pesta brenda 16 muajve, duke krijuar një situatë të paqëndrueshme politike.
“Mesatarisht do të kishim zgjedhje çdo stinë të vitit,” deklaroi ai.
Sipas Kurtit, zgjedhjet e reja do të vononin progresin në sektorë të ndryshëm të jetës shtetërore dhe do të dëmtonin interesin e qytetarëve.
Ai rikujtoi gjithashtu bllokadën politike të vitit të kaluar, kur procesi i konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhja e drejtuesve të tij u vonuan për muaj të tërë. Sipas tij, kjo situatë nuk dëmtoi vetëm mazhorancën, por edhe vetë opozitën dhe qytetarët.
Kurti theksoi se qeveria aktuale ka vepruar me shpejtësi pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, duke marrë përgjegjësitë pa vonesa, dhe hodhi poshtë akuzat për shmangie nga detyrimet.
Në përfundim, ai bëri thirrje që përvoja e mëparshme të shërbejë si mësim për të shmangur një tjetër bllokadë politike që mund të çojë vendin drejt zgjedhjeve të shpeshta dhe paqëndrueshmërisë institucionale.
