Sekrete shtetërore në USB, municione në banesë dhe lojëra fati! Ish-drejtuesi i SHISH në Berat dhe djali i tij dënohen me burg

Data

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm në Berat ka shpallur fajtor ish-drejtuesin e SHISH për qarkun e Beratit, Aleksandër Shulla, dhe djalin e tij Pandeli Shulla, duke i dënuar për disa vepra të rënda penale që lidhen me nxjerrjen e sekretit shtetëror, armëmbajtjen pa leje dhe organizimin e lojërave të fatit të paligjshme.

Dënimi për ish-kreun e SHISH

Aleksandër Shulla u dënua në total me 2 vite e 10 muaj burg, konkretisht:

  • 2 vite e 4 muaj burg për veprën penale të tregimit të sekretit shtetëror, dënim që u ul në 1 vit e 4 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar;
  • 6 muaj burg për armëmbajtje pa leje.

Gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit, duke e vënë Shullën në shërbim prove për 2 vite e 8 muaj, si dhe i ndaloi ushtrimin e funksioneve publike për 5 vite.

Dënimi për djalin e tij

Pandeli Shulla u shpall fajtor për organizim dhe ushtrim të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin. Ai u dënua fillimisht me:

  • 2 vite burg, dënim që pas gjykimit të shkurtuar u ul në 1 vit e 4 muaj.

Edhe për të, gjykata vendosi pezullimin e dënimit me burg, duke e vënë në shërbim prove për 2 vite e 8 muaj.

Si u zbulua skema

Sipas Prokurorisë së Beratit, hetimet nisën pas informacioneve se në një lokal në lagjen “30 Vjetori”, i drejtuar nga Pandeli Shulla, po zhvilloheshin lojëra fati online. Gjatë kontrollit u konstatuan kompjuterë aktivë, në të cilët shfaqeshin lojëra të ngjashme me kazino online, të aksesueshme përmes aplikacioneve dhe lidhjes në internet.

Në vijim të hetimeve, u ushtrua kontroll në banesën e Aleksandër Shullës, ku u gjetën:

  • municione të kalibrit 7.62 mm;
  • disa krehëra arme;
  • dy USB, të cilat pas ekspertimit rezultuan se përmbanin materiale të klasifikuara “sekret”, të administruara vetëm nga SHISH dhe të ndaluara për kopjim apo shumëfishim.

Materiale sekrete jashtë institucionit

Nga verifikimet rezultoi se dokumentet e gjetura në USB ishin kopjuar në kundërshtim me ligjin, edhe pse Aleksandër Shulla kishte dorëzuar zyrtarisht armatimin pas largimit nga detyra. Prokuroria vlerësoi se mbajtja e këtyre materialeve në banesë përbënte shkelje serioze të sigurisë së informacionit të klasifikuar, me rrezik për ekspozim të paautorizuar.

Në përfundim, gjykata pranoi kërkesat e Prokurorisë, duke vlerësuar se ekzistojnë prova të plota për fajësinë e të dy të pandehurve dhe se ish-drejtuesi i SHISH ka shkelur rëndë detyrimet ligjore edhe pas largimit nga funksioni publik.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related