Nëna e tre fëmijëve të mitur që u gjetën vetëm në banesë në Durrës ka reaguar publikisht, duke mohuar akuzat për braktisje dhe duke e cilësuar ngjarjen si një keqinterpretim të rëndë të situatës së saj familjare dhe ekonomike.
Blerina, nënë e tre fëmijëve 5, 10 dhe 12 vjeç, shprehet se është e divorcuar prej pesë vitesh dhe se punon si banaliere për të siguruar jetesën. Ajo thotë se për shkak të kushteve të vështira ekonomike është e detyruar t’i lërë fëmijët së bashku në shtëpi gjatë orarit të punës, por thekson se kjo nuk përbën braktisje.
“S’kam asnjëherë ndër mend t’i braktis fëmijët e mi. Punoj sepse duhet të siguroj jetesën. Paga ime është rreth 400 mijë lekë në muaj dhe 300 mijë lekë shkojnë për qira. Nuk kam mundësi tjetër,” shprehet ajo.
Nëna akuzon ish-vjehrrën se ka hyrë pa leje në banesë dhe ka bërë denoncimin në polici, duke e quajtur gjithë situatën një “kurth” ndaj saj. Sipas Blerinës, ky veprim ka ndikuar rëndë jo vetëm në gjendjen e saj emocionale, por edhe tek fëmijët.
Ajo shton se njëri nga fëmijët ka pasur probleme shëndetësore në të kaluarën, përfshirë epilepsinë, dhe se ka kaluar periudha të gjata në spitale për trajtim. Ndërkohë, babai i fëmijëve, sipas saj, ka qenë i burgosur në Itali për disa vite dhe aktualisht kontribuon financiarisht në mënyrë shumë të kufizuar.
“Jam nënë dhe do t’i mbroj fëmijët e mi me çdo kusht. Nuk do t’i lë në jetimore,” deklaron ajo.
Ndërkohë, autoritetet kanë bërë me dije se fëmijët dhe nëna ndodhen aktualisht nën kujdes mjekësor dhe social, ndërsa pritet që institucionet përkatëse të shqyrtojnë rastin dhe të vendosin për hapat e mëtejshëm, duke pasur në fokus interesin më të mirë të fëmijëve.
