“Mos votoni atë se është e çmendur!” – Balla ironizon Berishën për Avokatin e Popullit: Si fëmijë kopshti, me lojëra ‘macja me miun’ s’ju marrim seriozisht

Data

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar ashpër ndaj kritikave të opozitës dhe veçanërisht të kryetarit të PD-së, Sali Berisha, lidhur me zgjedhjen e Endrit Shabanit në postin e Avokatit të Popullit.

Në reagimin e tij publik, Balla thekson se procesi i zgjedhjes është zhvilluar plotësisht në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin, duke nënvizuar se kandidati fitues ishte i mbështetur edhe nga më shumë se 28 firma deputetësh të Partisë Demokratike.

Sipas Ballës, Partia Socialiste mbajti deri në fund qëndrimin për të mos propozuar asnjë kandidat të vetin, por për të votuar në seancë plenare një nga kandidatët e propozuar nga opozita. Nga gjashtë emrat e paraqitur, ai që siguroi shumicën e cilësuar prej 3/5 të deputetëve të Kuvendit ishte Endrit Shabani.

“Nga firmat te fyerjet, hajgare politike”

Balla akuzon Partinë Demokratike për sjellje të papërgjegjshme dhe kontradiktore, duke thënë se gjatë procesit opozita e ka kthyer zgjedhjen në “hajgare”.

“Nga një anë firmosnin për një kandidat, nga ana tjetër për një tjetër dhe nga një anë e tretë ia jepnin firmat edhe dy apo tre të tjerëve. Pastaj vinin dhe thoshin: aman mos votoni për atë se është e çmendur, jo këtë se është i pabesë, jo atë se nuk e duam”, shkruan Balla.

Ai e krahasoi këtë sjellje me fëmijët e kopshtit, duke shtuar se situata degradoi deri në kërcënime politike, të cilat mazhoranca nuk i pranon dhe nuk i merr seriozisht.

“Nuk pranojmë presione dhe shantazhe”

Kreu i grupit parlamentar të PS-së thekson se mazhoranca i ka bërë të qarta qëndrimet e saj ndaj opozitës.

“Me lojëra ‘macja me miun’, kërcënime apo presione politike, ta harrojnë se mund t’i marrim seriozisht”, shprehet Balla, duke shtuar se PS është e gatshme për dialog vetëm me rregulla loje dhe qytetari politike.

Në fund të reagimit, Balla ironizon sërish opozitën, duke i uruar deputetët e saj për festat e fundvitit dhe duke shpresuar që pas bakllavasë dhe gjelit të detit, të kenë nxjerrë mësimin e duhur nga votimi:

“Po të duan të ecim përpara bashkërisht, ne jemi gati. Në të kundërt, nuk kemi kohë për të humbur”.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related