Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur shpresën se Selia e Shenjtë do të marrë së shpejti vendimin për njohjen formale të Republikës së Kosovës, gjatë një takimi që ajo zhvilloi me Papa Leonin XVI në Vatikan.
Takimi u mbajt një ditë më parë dhe u përqendrua në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Selisë së Shenjtë, si dhe në bashkëpunimin mbi vlera të përbashkëta si paqja, dialogu dhe respekti ndërfetar. Gjatë qëndrimit në Vatikan, Osmani ka zhvilluar gjithashtu takime me zyrtarë të lartë të institucioneve të Selisë së Shenjtë.
“Kosova mbetet e përkushtuar për forcimin e marrëdhënieve me Selinë e Shenjtë dhe për avancimin e miqësisë sonë historike, të udhëhequr nga vlerat që na bashkojnë. Në frymën e Krishtlindjes, ndamë dëshirat e përbashkëta për paqe dhe harmoni në botë”, deklaroi Osmani përmes një postimi në rrjetet sociale.
Ftesë për vizitë papnore në Kosovë
Gjatë takimit, presidentja e Kosovës e ka ftuar Papën për një vizitë zyrtare në Prishtinë, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm simbolik dhe diplomatik për vendin dhe për komunitetin katolik në Kosovë.
Edhe pse Vatikani ende nuk e njeh zyrtarisht Kosovën, marrëdhëniet mes dy palëve janë zhvilluar gradualisht. Në janar të vitit 2024, Kosova hapi Misionin e Posaçëm në Vatikan, ndërsa në maj të këtij viti u emërua Luigji Bianko si nunc apostolik në Slloveni dhe delegat apostolik për Kosovën.
Delegati apostolik përfaqëson Selinë e Shenjtë në aspektin baritor dhe institucional, por nuk ka status të plotë diplomatik, për shkak të mungesës së njohjes formale.
Pse Vatikani nuk e ka njohur ende Kosovën?
Sipas diplomatëve dhe përfaqësuesve kishtarë, mosnjohja e Kosovës nga Selia e Shenjtë lidhet me disa faktorë të ndërlikuar:
- dialogun Kosovë–Serbi të ndërmjetësuar nga BE-ja,
- procesin e integrimit evropian,
- dialogun ekumenik mes kishave të krishtera,
- si dhe faktin që Kosova nuk është ende anëtare e Kombeve të Bashkuara.
Shefi i Misionit të Posaçëm të Kosovës në Vatikan, Vehbi Miftari, ka deklaruar më herët se Selia e Shenjtë i kushton rëndësi të veçantë stabilitetit rajonal dhe pajtimit ndërfetar, përpara se të ndërmarrë një hap formal për njohje.
Edhe vikari i Ipeshkvisë së Kosovës, Don Shan Zefi, ka vlerësuar se përparimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë mund të ndikojë drejtpërdrejt në vendimin e Vatikanit për njohje.
Marrëdhënie historike, pavarësisht mosnjohjes
Pavarësisht mungesës së njohjes formale, kontaktet mes Kosovës dhe Selisë së Shenjtë kanë nisur mbi tri dekada më parë. Takimi i parë historik u zhvillua në vitin 1993, kur presidenti i atëhershëm Ibrahim Rugova u prit nga Papa Gjon Pali II.
Ky ishte takimi i dytë i Osmanit me një Papë, pas audiencës private që ajo pati në vitin 2023 me Papa Françeskun. Po ashtu, edhe kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar më herët takime në Vatikan.
Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008 dhe deri më tani njihet nga 120 shtete, ndërsa njohja e fundit u bë nga Siria, në fund të tetorit të këtij viti.
