Seanca gjyqësore/ Prokuroria e Hagës kërkon 45 vite burg për ish-krerët e UÇK-së

Data

Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka nisur faza përfundimtare e procesit më të madh gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Prokuroria ka paraqitur pretencën e saj, duke kërkuar një dënim total prej 45 vitesh burgim për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Kërkesa u bë publike gjatë seancës së fjalëve përfundimtare nga kryeprokurorja e çështjes, e cila theksoi se dënimi kërkohet mbi bazën e përgjegjësisë individuale të secilit të pandehur dhe jo si pjesë e një strukture kolektive apo organizative.

“Prokuroria kërkon dënim për të gjitha pikat e aktakuzës, me një total prej 45 vitesh burgim, duke u mbështetur në veprimet dhe kontributet individuale të secilit. Bëhet fjalë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat janë jashtëzakonisht të rënda dhe nuk e humbasin rëndësinë me kalimin e kohës,” u shpreh ajo gjatë seancës.

Procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së konsiderohet si një nga gjykimet më të rëndësishme dhe më të ndjeshme në historinë e kësaj gjykate. Pas përfundimit të fjalëve përfundimtare të Prokurorisë, në ditët në vijim pritet që edhe ekipet mbrojtëse të paraqesin qëndrimet e tyre përfundimtare.

Pas mbylljes së kësaj faze, trupi gjykues do të tërhiqet për vendimmarrje, ndërsa shpallja e aktgjykimit pritet brenda afateve ligjore të përcaktuara.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related