Protesta e banorëve të Velipojës vijon për të shtatën ditë radhazi dhe këtë të hënë është zhvendosur përpara ambienteve të Prokurorisë së Shkodrës. Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente të organeve të drejtësisë për zgjidhjen e konfliktit të pronësisë së tokës në zonën e Rrjollit, ku po ndërtohet një resort turistik.
Protestuesit kanë depozituar një kërkesë zyrtare në Prokurori, duke kërkuar verifikimin e dokumenteve të pronësisë që, sipas tyre, provojnë se toka u përket ligjërisht familjeve të zonës. Ata kërkojnë trajtim me prioritet të çështjes dhe shmangie të zvarritjes së mëtejshme të procesit.
“Larg hajdutët! Tokat tona nuk i dorëzojmë! Duam drejtësi!”, janë disa nga thirrjet e banorëve, të cilët akuzojnë institucionet për heshtje dhe mosreagim ndaj shqetësimeve të tyre.
Banorët kanë hedhur poshtë edhe pretendimet e firmës ndërtuese për zhvillimin e një dëgjese publike me komunitetin lokal. Sipas tyre, një takim i tillë nuk ka ndodhur kurrë dhe ata sfidojnë autoritetet që të verifikojnë se kush ka marrë pjesë realisht në një proces të tillë.
“Ne jemi fshatarët e kësaj zone dhe këta jemi. Nuk ka pasur asnjë dëgjesë publike. Kërkojmë vetëm drejtësi dhe verifikim të dokumenteve, sepse ne e dimë që aktet që paraqiten nga pala tjetër janë të falsifikuara,” deklaroi një nga protestuesit.
Në protestë janë bashkuar edhe emigrantë nga Gjermania dhe Anglia, të cilët kanë ardhur posaçërisht për të mbështetur banorët e Rrjollit dhe për të mbrojtur pronat e tyre. Disa prej tyre deklaruan se kanë blerë tokë në këtë zonë prej vitesh, por nuk janë lejuar të ndërtojnë dhe nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga institucionet.
“Kam blerë tokë këtu prej pesë vitesh dhe kam ardhur të mbroj pronën time. Nuk na japin asnjë sqarim,” u shpreh një nga emigrantët pjesëmarrës në protestë.
Banorët paralajmërojnë se protestat do të vijojnë çdo ditë, pavarësisht kushteve atmosferike, derisa të marrin një përgjigje konkrete dhe ligjore nga Prokuroria dhe institucionet përgjegjëse për çështjen e pronësisë.
