Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e quajti një “pikëz të vogël” atë pjesë që do të shkëputej nga Parku i Butrintit, për t’u kthyer në resort privat nëpërmjet një “investimi strategjik” me firmën e kryeministrit Edi Rama. Tashmë, Plazhi i Manastirit, pra ajo “pikëz e vogël” është shndërruar në një masiv vilash prej betoni, të cilat kanë bllokuar tërësisht aksesin e pushuesve në një prej gjireve më të bukura të Rivierës Shqiptare. Në një investigim të gazetarit Geri Emiri zbulohet se ndërtimi i një resorti e transformoi përgjithmonë Gjirin e Manastirit, që ndan Detin Jon me Liqenin e Butrintit dhe nga ana tjetër shkatërroi potencialin arkeologjik të zonës, përfshirë një zbulim të vitit 2010. Kompania nuk respektoi monitorimin arkeologjik dhe u gjet në shkelje nga një vlerësim i UNESCO-ICOMOS. Ndërsa autoritetet e kulturës censuruan dokumentet dhe ndërruan disa herë alibi.
Çfarë ka ndodhur?
“Gjiri i Manastirit” e mori emrin nga Manastiri i Shën Gjergjit, që është ndërtuar aty që prej shekullit XVII dhe qëndron në krye të Gadishullit të Ksamilit. Gjetjet arkeologjike aty pranë janë shumë më të hershme, duke nisur nga shekujt IV-III Para Erës Sonë. Deri në vitin 2022 në zonë kishte pak ndërhyrje ndërtimore, kryesisht nga strukturat turistike, por situata u përmbys pasi qeveria shqiptare rrudhi sipërfaqen e mbrotjur të Parkut Kombëtar të Butrintit dhe i hapi rrugë projekteve ndërtimore. Me një ritëm më të shpejtë se vendimet e shtetit shqiptar, projekti “Manastiri Resort” mori mbështetjen e menjëhershme si një investim strategjik, për të ndërtuar një fshat turistik në gjirin gati të paprekur të Manastirit. Projekti i kompanisë “ALB-STAR” parashikohet të përfundojë vitin që vjen dhe kap vlerën 28 milion euro, duke e transformuar rrënjësisht zonën, përmes ndërtimit të vilave 2 deri në 4 kate, përfshirë një hotel, ambiente shërbimi dhe parkime nëntokësore.
Skandali
Përgjatë një investigimi 2 vjeçar, gazetari Geri Emiri zbuloi se projekti që po zhvillohet në një sipërfaqe 53.467 m2, prek një nga zonat me potencial të lartë arkeologjik të Parkut Kombëtar të Butrintit dhe një zinxhir institucionesh kanë dështuar të realizojnë monitorimin e punimeve. Megjithëse në vitin 2010 në mënyrë rastësore u zbuluan struktura të reja antike, projekti i resortit vijoi duke shkatërruar një prej zbulimeve që fillimisht dyshohej si kullë fortifikimi e Antikitetit të Vonë, si edhe duke kryer punime nëntokësore pa monitorim arkeologjik. Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) censuroi dokumentet që dispononte dhe për gati 1 vit ndryshoi disa herë alibi, duke ekspozuar procedura fiktive dhe të mbajtura në kundërshtim me parashikimet ligjore për vetë IKTK-në dhe këshillin shkencor që funksionon pranë tij.
