Kryeministri Edi Rama zhvilloi konferencën tradicionale të fundvitit, ku bëri një bilanc të vitit 2025 dhe prezantoi prioritetet e qeverisë për vitin që vjen. Mes premtimeve dhe projekteve të radhës, Rama riktheu edhe një temë të njohur prej vitesh: blerjen e mjeteve ajrore zjarrfikëse.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë theksoi rëndësinë e investimeve në sektorin e mbrojtjes dhe infrastrukturës ushtarake, duke përmendur disa projekte në zona të ndryshme të vendit.
“Ne kemi një sërë investimesh nga Burreli, Kuçova, te Pashalimani. Do të fokusohemi në ngritjen e shkollës së aviacionit dhe zhvillimin e kompleksit muzeal të Forcave të Armatosura”, u shpreh Rama.
Ai u ndal edhe te problematika e zjarreve, të cilat sipas tij kanë qenë një ndër sfidat më të mëdha gjatë këtij viti, duke deklaruar se qeveria ka rritur kapacitetet e mbrojtjes civile.
“Ne kemi vazhduar të rrisim kapacitetet e mbrojtjes civile dhe kemi vendosur fondin për blerjen e dy avionëve të parë zjarrfikës për Republikën e Shqipërisë”, tha kryeministri.
Premtimi për mjete ajrore zjarrfikëse është përsëritur disa herë ndër vite, ndërsa mbetet për t’u parë nëse në vitin e ri do të kthehet realisht në investim konkret apo do të mbetet sërish në listën e premtimeve të parealizuara.
