Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza tejet të rënda gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD-së në lidhje me dosjen e AKSHI-t, të cilën e cilësoi si “më të pashembulltën në historinë e një shteti”.
Berisha u ndal te arresti shtëpiak i drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, duke e lidhur këtë çështje me rrëmbimin e dy personave brenda një periudhe gjashtëmujore: biznesmenit Gerond Meçe dhe ish-zv.drejtorit të AKSHI-t, Daniel Shima.
“A mund ta imagjinoni ju një agjenci kombëtare që varet nga Këshilli i Ministrave, ku brenda 6 muajsh merren peng dy persona? Një biznesmen dhe një ish-zyrtar i lartë shtetëror”, deklaroi Berisha.
Sipas tij, Gerond Meçe – ish-ortaku i baxhanakut të Linda Ramës – është rrëmbyer në bashkëpunim me struktura të policisë, është mbajturAK, torturuar rëndë dhe më pas është lënë në një zonë të pyllëzuar në gjendje të rëndë shëndetësore, duke përfunduar më pas në Gjermani, ku ka rrëfyer të gjithë skemën për AKSHI-n.
Berisha pretendoi se autoritetet shqiptare janë vënë në dijeni nga prokuroria gjermane prej tre muajsh, por ngjarja është mbajtur e fshehtë nga opinioni publik.
“Nuk u tha asnjë fjalë. Asnjë njoftim. Asnjë transparencë. Sepse, sipas Berishës, në krye të Policisë së Shtetit ndodhet një person që ai e cilësoi si ‘kriminel më të rrezikshëm se vetë kriminelët’”, duke përmendur drejtorin e përgjithshëm të Policisë, Ilir Proda.
Berisha akuzoi gjithashtu Ergys Agasin si organizator të rrëmbimeve, duke e lidhur atë si me rastin e Gerond Meçes, ashtu edhe me atë të Daniel Shimës.
Sipas kryedemokratit, Daniel Shima u rrëmbye pasi Mirlinda Karçanaj ishte paraqitur në SPAK dhe dyshohej se ai mund të kishte dekonspiruar informacione.
“Sa doli nga SPAK, u kthye në zyrë dhe firmosi menjëherë shkarkimin e Daniel Shimës. Pas pak ditësh, Shima u rrëmbye në mes të bulevardit me të njëjtën skemë si Gerondi”, tha Berisha.
Ai shtoi se Shima i shpëtoi më të keqes vetëm falë faktit që arriti të dërgonte një mesazh, ndërsa u dhunua rëndë dhe iu thyen kockat.
“Kjo është një skemë kriminale familjare. Ergys Agasi është organizatori. Krimi është kryer nga familja. Tani është fundi”, përfundoi Berisha, duke paralajmëruar se situata ka kaluar çdo kufi dhe se opozita nuk do të qëndrojë më pasive.
