Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kërkuar përgjysmimin e menjëhershëm të taksave mbi naftën, duke e cilësuar nivelin aktual si të papërballueshëm për qytetarët shqiptarë.
Në një bashkëbisedim online me qytetarët, ai u shpreh se çmimi i naftës në Shqipëri është ndër më të lartët dhe kjo, sipas tij, lidhet drejtpërdrejt me nivelin e lartë të taksimit. Berisha deklaroi se taksa aktuale, që sipas tij arrin rreth 60% të çmimit, përbën një barrë të rëndë për qytetarët.
Ai propozoi që taksa prej rreth 1.1 euro për litër të përgjysmohet në 0.55 euro, duke argumentuar se një masë e tillë do të lehtësonte ekonominë familjare dhe do ta afronte vendin me standardet e Bashkimit Evropian.
Sipas Berishës, rritja e çmimit të naftës ndikon në të gjithë ekonominë, pasi reflektohet në çmimet e produkteve bazë si ushqimet dhe transporti. Ai theksoi se shtresat më të varfra janë më të goditurat nga kjo situatë.
Në të njëjtën kohë, lideri i opozitës akuzoi qeverinë e drejtuar nga Edi Rama për korrupsion dhe keqmenaxhim ekonomik, duke pretenduar se vendi po përballet me vështirësi në sektorët prodhues dhe me rritje të ekonomisë informale.
Berisha u ndal edhe te procesi i integrimit europian, duke paralajmëruar se Shqipëria rrezikon të mbetet në vendnumëro për shkak të mungesës së progresit në shtetin ligjor.
Në përfundim, ai u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen në protesta kundër qeverisë, duke theksuar se ato do të jenë paqësore dhe mjeti kryesor për arritjen e ndryshimeve politike në vend.
