Scholz pret liderët e BP në Samitin e Procesit të Berlinit, thirrje për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi

Data

Kancelari gjerman Olaf Scholz ka pritur liderët e Ballkanit Perëndimor në Samitin e Procesit të Berlinit, duke mbajtur një fjalë hyrëse në tryezën e takimit. Ai bëri thirrje për angazhim të thelluar nga ana e Kosovës dhe Serbisë në normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Na duhet një dinamikë e re. Ju lutem, mos lejoni që e kaluara t’ju frenojë në rrugën drejt një të ardhmeje paqësore dhe prosperuese. E ardhmja juaj është në BE, dhe ekziston vetëm një rrugë që çon atje: zbatimi i plotë i marrëveshjeve të arritura,” tha Scholz, duke theksuar angazhimin e tij personal për këtë çështje.

Duke shënuar 10-vjetorin e Procesit të Berlinit, ai e cilësoi këtë iniciativë si instrumentin më të mirë për bashkëpunimin rajonal dhe përshpejtimin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor. “Bashkimi Evropian është i kompletuar me Ballkanin Perëndimor si pjesë të tij,” shtoi ai.

Gjatë Samitit pritet të nënshkruhen marrëveshje për një treg të përbashkët rajonal për periudhën 2025–2028 dhe për rritjen e aksesit në institucionet e arsimit të lartë në rajon.

Rezultatet e samitit do të prezantohen në një konferencë të përbashkët për shtyp nga kancelari Scholz dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, që gjithashtu do të marrin pjesë në samit në emër të BE-së.

Kryeministri Edi Rama dhe liderët e pesë vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor po marrin pjesë në këtë samit, i cili filloi në vitin 2014 nga kancelarja Angela Merkel, me qëllimin e afrimimit të këtyre vendeve me Bashkimin Evropian.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related