Sulm ndaj “Vila 31”, përplasje e ashpër mes PD dhe PS

Data

Protesta e thirrur nga Sali Berisha degjeneroi në mbrëmje me sulme me molotov ndaj ish-rezidencës së Enver Hoxhës, e njohur sot si “Vila 31”, e kthyer në një qendër rezidence për artistë ndërkombëtarë.

Në momentin e sulmit brenda godinës ndodheshin disa artistë dhe pjesëtarë të stafit. Nga zjarri dhe përplasjet nuk pati të lënduar, por u shkaktuan dëme materiale dhe panik.

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, deklaroi se godina përdorej për “pazare”, ndërsa më vonë Berisha pretendoi se protesta ishte devijuar nga persona të infiltruar që kishin përhapur informacion të rremë se aty banonte kryeministri.

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama e cilësoi ngjarjen “turp shumë të madh” dhe kërkoi ndjesë publike artistëve. Ai theksoi se godina, dikur simbol i diktaturës, sot përfaqëson një hapësirë kulturore me vlerë për Tiranën dhe Shqipërinë.

Rama reagoi gjithashtu ndaj vendimeve të gjykatave për lirimin e personave të arrestuar pas protestës, duke kritikuar ashpër gjyqtarët që, sipas tij, nxjerrin në rrugë autorët e akteve të dhunës.

Ngjarja ka thelluar përplasjen politike mes mazhorancës dhe opozitës, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related