Sa ka depërtuar krimi i organizuar në Policinë shqiptare?

Data

Shqipëria ka tashmë një shef të ri të Policisë së Shtetit pas dorëheqjes së kreut të mëparshëm, Muhamet Rrumbullaku, i cili qëndroi në detyrë për gati dy vjet. Ka qenë një periudhë e vështirë për Policinë e Shtetit, imazhi i së cilës është dëmtuar nga disa oficerë të lartë të arrestuar, akuzuar apo dënuar për krime të rënda, duke përfshirë edhe ndihmesën e rrjeteve të krimit të organizuar për të ekzekutuar rivalët, lejimin e kultivimit të drogës dhe pastrimin e parave. Disa oficerë akuzohet se kanë qenë të përfshirë vetë drejtpërdrejt në prodhimin dhe trafikun e drogës.

Kreu i ri i Policisë, Ilir Proda u përball gjithashtu me probleme, përpara se të merrte detyrën zyrtarisht. Prokurorët e SPAK kanë sekuestruar telefonin e tij bashkë me telefonat e vartësve të tjerë të Prodës si pjesë e një hetimi mbi dekonspirimin e mundshëm të një operacioni kundër një grupi të dhunshëm kriminal. Proda nuk përballet aktualisht me asnjë akuzë dhe rezultatet e hetimit janë të panjohura.

Disa deputetë të opozitës pretendojnë se rrjetet e krimit të organizuar janë në gjendje të ndikojnë tek oficerët e lartë të policisë në zonat e kontrolluara prej tyre, duke u ofruar rryshfete në vlera të mëdha. Në një incident muajin e kaluar, deputeti i opozitës, Gazment Bardhi pretendoi se drejtori i Policisë së Shkodrës, Edmond Sulaj ishte vendosur në këtë detyrë me kërkesë të Pëllumb Gjokës, një figurë lokale e krimit që përballet me akuzë për vrasje. Sulaj i mohon akuzat si shpifje dhe tha se po bënte një kallëzim penal ndaj deputetit Bardhi.

Shkalla në të cilën krimi i organizuar ka depërtuar në Policinë e Shtetit është bërë më i qartë në kohën kur policia franceze fitoi akses në mijëra mesazhe sekrete të dërguara nga kriminelët, duke përdorur telefonët e koduar SKY/ECC. Mesazhet përmbanin informacione për dhjetëra grupe kriminale nga e gjithë bota, përfshirë edhe Shqipërinë.

Dhjetorin e vitit të kaluar, punonjësve të policisë në Shqipëri iu tha që të plotësonin një pyetësor nëse kishin përdorur apo jo ndonjë telefon të inkriptuar. Askush nuk pranoi që e kishte bërë diçka të tillë. Megjithatë, hetimet e bazuara në mesazhet e SKY/ ECC sollën si rezultat arrestimin e një numri oficerësh të policisë si të dyshuar për përfshirje në krimin e organizuar.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related